SHBA: Vota përfaqëson vullnetin e shqiptarëve
ADI SHKEMBI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmojnë qëndrimin e tyre pozitiv ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Pas Ambasadës Amerikane në Tiranë, është misioni i SHBA-së në OSBE, i cili përmes një deklarate për shtyp vlerëson procesin e fundit elektoral. “Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe Qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009. Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve. Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar”, thuhet në deklaratën e misionit të SHBA-së në OSBE. Duke iu referuar raportit përfundimtar për zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, misioni amerikan bëri të ditur se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore. “Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor. Nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv. Gjithashtu, duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë”, thuhet më tej në deklaratë. Përsa i përket fenomeneve negative në këto zgjedhje, misioni i SHBA vuri theksin te njëanshmëria e medias dhe politizimi i procesit të votimit dhe shkeljet gjatë fushatës elektorale, të cilat minuan besimin e publikut në këto zgjedhje. “Ne kemi besim se Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike”, thuhet më tej në deklaratë.
Meta
Në të parën konferencë si ministër i Jashtëm, Ilir Meta përshëndeti dje deklaratën e Presidencës suedeze të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vlerësimin që i bënë zgjedhjeve në Shqipëri. “Vota e 28 qershorit shpreh në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme vullnetin e popullit shqiptar. Edhe sot përfaqësuesit e Presidencës suedeze të BE-së dhe SHBA-së vlerësuan në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së se raporti final i OSBE-ODIHR konstaton qartë se Shqipëria ka përmbushur shumicën e angazhimeve të OSBE-ODIHR dhe konfirmon arritje substanciale në procesin e regjistrimit të votuesve, kuadrin ligjor, procesin e votimit, numërimit dhe zgjidhjes së animimeve”, theksoi Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi se “do të bashkëpunojë ngushtë në të ardhmen me këta partnerë për të adresuar vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë tërësisht i standardeve më të larta demokratike, siç i takon një vendi evropian”. Në fund ai i bëri sërish thirrje opozitës të bashkëpunojë me maxhorancën për kryerjen e reformës zgjedhore. “Me këtë rast dua të ftoj edhe njëherë dhe sinqerisht opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive dhe atdhetare për reformën e ardhshme zgjedhore”, përfundoi Meta.
Frattini-Metës: Eksperienca juaj, garanci
“Shqipëria, ashtu siç pata mundësinë të nënvizoj edhe gjatë vizitës sime më 27 tetor 2008, ka bërë hapa domethënës, dhe shpesh here jo të lehta, në rrugën e përafrimit me institucionet euro-atlantike, një udhë kjo që duhet të përshkohet me të njëjtën vendosmëri edhe në hapat e fundit dhe të gjata. Në këtë frymë, eksperienca Juaj e kaluar përbën një garanci solide”, shprehet Frattini në mesazhin e tij.
Kushner-Berishës: U rinovua besimi për ju
“I dashur Sali Berisha, bashkëqytetarët tuaj e rinovuan besimin e tyre tek ju, në mënyrë që ju të vazhdoni ta çoni Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt Evropës. E njoh vendosmërinë tuaj për të vijuar reformat e domosdoshme për këtë. Unë dua t’ju siguroj se Franca do t’ju përkrahë dhe do të mbështesë plotësisht përpjekjet tuaja për t’u integruar në BE”, shkruan Kushner.
Barroso: Forcim të shtetit ligjor
“Tani që ka hyrë në fuqi MSA dhe vendi juaj ka aplikuar për anëtarësim në BE, KE beson se Qeveria Juaj do të tregoj vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. KE mbetet i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tuaj në këtë proces”, shkruan Barroso.