E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset, letër Berishës dhe Ramës: Të ngrihet Gjykata Administrative

Konfindustria, me cilësinë e institucionit nismëtar të krijimit të Gjykatës Administrative, ka kërkuar me letër zyrtare nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, për ndërhyrjen e tyre institucionale dhe politike për miratimin sa më të shpejtë dhe me konsensus të projektligjit për Gjykatën Administrative, që tashmë ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë. Hapi i mësipërm vjen pasi Konfindustria shprehu qëndrimin e saj për krijimin sa më të shpejtë të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi si domosdoshmëri për industritë shqiptare në veçanti edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar me Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë disa ditë më parë, duke vlerësuar njëkohësisht projektligjin përkatës të paraqitur nga Këshilli i Ministrave.

"Konfindustria vlerëson se është krejt i papranueshëm fakti që Shqipëria radhitet vendi i fundit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor për mungesën e institucionit të Gjykatës Administrative pa përmendur vendet demokratike të BE", u shpreh dje për mediat Gjegj Buxhuku. Në letër mësohet të jetë shkruar se, "Mungesa e Gjykatës Administrative në sistemin e drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht jo vetëm industritë vendore, por dhe qytetarët, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore". Konfindustria, e cila përfaqëson bizneset industrialiste në vend, në fillimin e nismës së saj përpara 1 viti e gjysmë për krijimin e Gjykatës Administrative kërkoi zyrtarisht dhe njëkohësisht siguroi vullnetin e plotë të krerëve të shumicës dhe pakicës parlamentare për të mbështetur nismën në fjalë. "Ne kemi ndjekur nga afër gjithë procesin përkatës të formulimit të draftit ligjor përkatës nga Ministria e Drejtësisë dhe grupi i ekspertëve vendorë dhe të huaj", shtoi Buxhuku. Duke pasur parasysh nevojën e fillimit sa më të shpejtë të punës së Gjykatës Administrative dhe domosdoshmërinë e miratimit me 3/5 të votave ku pesha e opozitës është vendimtare, si dhe vlerësimin për përmbajtjen e projektligjit të paraqitur në Kuvend nga Këshilli i Ministrave, Konfindustria kërkoi para kreut të pozitës dhe opozitës shqiptare, veçimin e projektligjit për Gjykatën Administrative nga paketa ligjore për drejtësinë dhe aktet e tjera ligjore të debatuara politikisht dhe miratimin në një kohë sa më të shpejtë me konsensus nga pozita dhe opozita nga Kuvendi i Shqipërisë të projektligjit përkatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›