E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: ”Qeveria, plan për heqjen e TVSH-së së grurit”



Kriza e çmimeve në ushqime, të cilat e kanë pasur burimin nga rritja e çmimit të grurit, ka bërë që qeveria të ketë plane në sirtar për të ndërhyrë më tej në këtë treg delikat për vendin. Kryeministri Sali Berisha u shpreh nga Korça se qeveria ka një plan për heqjen e TVSH-së për grurin, në mënyrë që të ulet çmimi i ushqimeve nga drithërat, por nga ana tjetër kjo heqje TVSH-je për drithërat do të thotë një “vrasje” për fermerët që kultivojnë grurë. “Ne jemi para alternativave së pari për heqjen e taksës për miellin dhe grurin, por kjo nënkupton se prodhimet tuaja bujqësore të mbesin në fushë. Ju keni dy vjet që i shisni prodhimet tuaja. Para katër vjetësh unë vizitova Kolonjën dhe një fermer, i cili kishte 2 mijë rrënjë mollë, shprehu shqetësimin se nuk arrinte t`i shiste dot ato për shkak të konkurrencës të mollëve që vinin nga importi. Sot situata është krejt ndryshe dhe ne kemi ndryshuar gjendjen falë disa mekanizmave që kemi ndërmarrë me qëllim që ju të keni mundësi të shisni prodhimet tuaja”, - tha kryeministri përpara fermerëve. Kryeministri shpjegoi më tej se aktualisht qeveria fiton 10-15 milionë euro nga taksa e grurit dhe e miellit, por, nga ana tjetër, ka akorduar 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta për bukën që ata blejnë më shtrenjtë. Kryeministri ripërsëriti edhe njëherë vendosmërinë për kompensimin e tyre qindarkë për qindarkë. Kjo rrugë duket më e drejta për qeverinë, e cila do të mundohet të kompensojnë shtesat në nevojë për rritjen e çmimit të ushqimeve dhe nga ana tjetër të mbajë brenda tregut fermerët që kultivojnë drithëra. Nga ana tjetër, Berisha tha se rimbursimi me 6 për qind i TVSH-së për produktet bujqësore do të sjellë në xhepat e fermerëve 50 milionë euro më shumë. “Ndihma nga kjo masë është 50 milionë euro dhe me vendosjen e TVSH-së 6 për qind kemi futur në vend një praktikë të re dhe të mirë. Në mbështetjen tuaj qeveria ka rritur pensionet nga 34 mijë lekë në 60 mijë lekë sot, dhe këtë vit do të ketë një rritje të mirë. Ne do të ecim drejt barazimit të pensioneve. Tre vjet më parë ne u zotuam se do t`i dyfishonim ato, e bëmë këtë dhe do të ecim më tutje”, - u shpreh më tej kryeministri.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›