E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesë në legalizimin e ndërtimeve informale, ligji në fund të axhendës



Kalendari i punimeve në Kuvend ka vendosur diskutimin e dekretit të presidentit Topi për shqyrtimin e ligjeve për legalizimin e ndërtimeve informale në muajin qershor. Vendosja në këtë kohë të diskutimit të këtij dekreti përkthehet nga ana tjetër një vonesë në procesin e legalizimeve në vend. Agjencia e Legalizimeve është në pritje të hyrjes së fuqi të këtij ligji në mënyrë që ajo të procedojë me dhënien e lejeve të para të legalizimit të ndërtimeve informale. Fillimisht parashikohej se dhënia e lejeve të para për legalizim të ndërtimeve të fillonte në fundin e muajit maj, në momentin kur ndryshimet në ligjin e legalizimeve do të hynin në fuqi. Kthimi që presidenti Topi i bëri ligjit e ka vendosur situatën në një moment tjetër. Kjo vonesë do të bëjë që në procedurë normale të miratimit të këtyre ndryshimeve, lejet e legalizimit të jepen nga fundi i muajit korrik ose në fillim të muajit gusht. Duke parë që në këtë periudhë fillojnë pushimet për administratën, muaji shtator do të ishte më ideali për të nisur punën. Axhenda e papërshtatshme për të ridiskutuar ndryshimet në ligjin e legalizimeve ka bërë që procesi praktikisht të ngecë në vend. Gjatë një interviste pak javë më parë, nëndrejtori i ALUIZNI-t, Ferdinand Shehu, u shpreh për gazetën “Albania” se Agjencia është në pritje të hyrjes në fuqi në ndryshimeve ligjore. Shehu tha për gazetën se me hyrjen në fuqi të ligjit, praktikisht fillon numërimi mbrapsht me orë për të dhënë lejet e para për legalizimin e mëse 200 mijë ndërtimeve informale. “Sapo të hyjë ligji i ri në fuqi, ne do të fillojmë të implementojmë direkt dhënien e lejeve të legalizimit. Punë ditësh. Tashmë ka ikur kurioziteti i madh. Tashmë kemi kaluar nga punë muajsh në punë ditësh. Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht”, - është shprehur Shehu. Gjithsesi, ALUIZNI ka prioritet që fundi i mandatit qeverisës së PD-së në vitin 2009, do të jetë edhe fundi i procesit të legalizimit, i cili do t’i hapte rrugën e njohjes së mëse 6 miliardë eurove pasuri të paluajtshme. “Kjo do të ndodhë shumë shpejt, besoj se brenda pak kohësh, si një muaj, pra brenda pak ditësh, por di të them me saktësi që brenda mandatit të qeverisjes i gjithë procesi do të përfundojë. Kush do të jetë pa probleme dhe pa konflikte, si kalime pronësie etj., procesi do të jetë shumë i shpejtë”, - tha Shehu.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›