E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria premton heqjen e akcizës për naftën, për të ulur çmimet



Vizita e kryeministrit Sali Berisha në rrethin e Korçës ka ndikuar që kreu i qeverisë të shohë nga afër disa probleme që hasin qytetarët. Fermerët e komunës së Progrit në Korçë nuk kanë hezituar që t’i kërkojnë kryeministrit ndihmë për prodhimet e tyre. Ata kanë pyetur direkt kryeministrin se çfarë do të ndodhë me çmimin e karburanteve, tepër jetike për mekanikën e fermerit, por edhe për çdo prodhues apo konsumator tjetër shqiptar. Kryeministri Berisha ka reaguar pozitivisht pa mëdyshje duke shfaqur rezervat e veta të njëjta me të fermerët, duke mos u pajtuar me çmimin që karburantet kanë në vendin tonë. “Sot çmimi i naftës në tregjet botërore ka kapur një shifër shumë të lartë, 130 dollarë për fuçi dhe në Shqipëri kjo ka sjellë rritjen në tërësi të çmimeve të produkteve bujqësore. Nafta krijon vështirësi në punën tuaj dhe ndikon në prodhimin tuaj, por nëse do të vazhdohet kështu, do të ketë një ripërshtatje të madhe ndaj këtij problemi”, - premtoi kryeministri. Pavarësisht këtij premtimi të kryeministrit, ai nuk dha shpjegime të mëtejshme se kur do të ndërhyhet dhe në çfarë forme do të bëhet.
Situata
Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri është nga më të lartat në botë. Të paktën këtë gjë konstatojnë ekspertët e energjisë. Rajoni ka çmime 15 deri 20 për qind më të lira për çdo produkt, ndërsa në SHBA çmimi është gati dy herë më lirë. Kjo situatë e papajtueshme ka disa shpjegime si nga ekspertët, ashtu edhe nga tregtarët e naftës. Ekspertët fajësojnë qeverinë për politikat e saj jo të favorshme ndaj konsumatorit, si dhe kanë kërkuar që kompania shtetërore “ARMO”, e cila zotëron 25 për qind të tregut në vend, të këtë një rol zbutës me çmimet, por që sipas tyre kjo nuk ka ndodhur. Tregtarët e naftës shprehen se janë të varur nga bursa ndërkombëtare. Kur rritet çmimi në bursë, reflektohen edhe në Shqipëri. Tregtarët shprehen nga ana tjetër se norma e tyre e fitimit nuk ka luajtur asnjëherë dhe nuk kanë përfituar nga kriza e naftës. Sipas tyre, norma e fitimit është rreth 10 deri 12 lekë për litër. Rruga e vetme, sipas tregtarëve, për të ulur çmimin, është ulja e akcizës së naftës, e cila nuk është pak, por arrin deri në 80 lekë për litër. Ulja e kësaj akcize do të sillte një gropë tepër të lartë në buxhet, i cili këtë taksë e ka nga më kryesoret. Gjithsesi, tregtarët e naftës akuzohen për spekulime dhe lojë jo të rregullt me kontratat “Future”, që do të thotë se reflektimi në çmim duhet të ndodhë minimalisht me dy muaj kohë. Tregtarët akuzohen edhe për një lojë jo të rregullt me rezervat e sigurisë, të cilat duhet t’i ruajnë për ditë të këqija. Ata akuzohen se e kanë përdorur këtë rezervë, të cilën e kanë blerë me çmime të ulëta dhe e kanë shitur me çmime tepër të larta. Ekspertët paraqesin disa rrugë për të ndërhyrë që çmimi i naftës të ulet. Ata shprehen se ulja e akcizës, reduktimi i taksave të tjera, kontrolli i rreptë, ulja e rezervës së sigurisë etj., janë disa nga rrugët që mund të përdoren për të ulur çmimin. Gjithsesi, derisa qeveria të ndërhyjë në këtë sektor, konsumatori shqiptar do të përdorë çmimet më të larta në botë të naftës.
Fermerët
Takimi i djeshëm me fermerët e Korçës, Berishës i ka vlejtur për të parë se si ka reaguar bujqësia pas politikave qeveritare. Në fermën e korçarit Rakip Musai, i cili ka mbjellë 8.5 hektarë mollë, Berisha vuri re se orientimi drejt frutikulturës funksionon më mirë. Ai u kërkoi që ta të aplikojnë për të përfituar fonde nga qeveria. “Qeveria do t`ju ndihmojë duke e shndërruar infrastrukturën e kësaj zone në infrastrukturë të standardeve moderne. Së shpejti ky vend do të jetë një nga prodhuesit më të mëdhenj të mollëve në Ballkan. Këtë fond, nga 5 milionë euro e kemi bërë 10 milionë euro. Megjithatë, i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë nuk është sasia e duhur, por ne do ta rrisim atë çdo vit”, - u shpreh Berisha.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›