Berisha: Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të luftuar me eficencë korrupsionin

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e hapjes së Zyrave Qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit, në Tiranë, ku të pranishëm ishin dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Sophia H. Sahaf, përfaqësues të Bankës Botërore, FMN-së, si dhe përfaqësues të biznesit vendas.
Në përshëndetjen e rastit, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Kjo do të do të mbetet një ndër ditët më të shënuara në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin”. Kryeministri Berisha i vlerësoi projektet e realizuara deri tani, në kuadrin e pragut të Mijëvjeçarit, si projekte shumë të rëndësishme, të cilat kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, kanë shkurtuar kohën, kanë thjeshtuar burokracitë e si rrjedhim kanë rritur transparencën.
“Në kuadrin Pragut të Mijëvjeçari, në Shqipëri kanë marrë jetë disa projekte që kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, siç janë taksa elektronike, regjistri elektronik i biznesit, prokurimi elektronik”.
Kryeministri Berisha vlerësoi se “Të tre këto projekte të vitit të kaluar, sot janë të plota dhe e kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, kanë shkurtuar kohën, kanë thjeshtuar burokracitë, kanë rritur shumë transparencën”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Kryeministri Berisha vlerësoi se “sporteli unik më i shkëlqyer për licencat është heqja e tyre”.
Në vlerësimin e mëtejshëm të këtij procesi, Berisha e konsideroi këtë si një teknikë që do të ndihmojë biznesin. Kryeministri Berisha shprehu besimin se “gjatë muajve që vijnë ju do i propozoni qeverisë sime, sipas vullnetit të shqiptarëve, heqjen e një seri licencash të tjera, duke e vlerësuar në këtë mënyrë, si punën më të mirë tuajën”.
Një tjetër premtim i Kryeministrit Berisha ka qenë krijimi i sportelit unik për energjinë. “Një premtim tjetër i imi para biznesit është se ne do të krijojmë sportelin unik për energjinë, e cila është një fushë me një perspektivë të jashtëzakonshme në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë deklaroi se “Janë qindra e qindra hidrocentrale, parqe eolike dhe impiante nga burime të tjera energjetike që duhet të ndërtohen apo ka kërkesa për ndërtim. Ne do të nisim shpejt punën për ndërtimin e tij”.
Duke cituar dhe Drejtoreshën e USAID-it, Kryeministri Berisha tha se “vlera më absolute e këtij projekti dhe projekteve që kemi bërë është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër këtij kanceri, i cili ndonëse ka marrë përgjigje shumë të forta gjatë këtyre viteve”.
Për ta ilustruar më me transparencë punën e bërë nga qeveria në këtë aspect, Kryeministri Berisha kujtoi se këto rezultate pozitive kanë bërë që “Shqipëria sipas renditjes së vendeve të parakalojë dhe të lerë pas 95 vende dhe nga faktorët më kryesorë kanë qenë këto projekte, luftë, e cila ka bërë që ky vend të ketë të ardhura në tërësi, rreth 5.2 miliard dollarë më shumë këto katër vite, sesa vitet që shkuan, luftë për të cilën qeveria ime u njoh si qeveri kampion nga Transparency International, për reformat e ndërmarra”.
Duke vlerësuar faktin se nuk ka pasur fushë tjetër ku qeveria e tij të ketë pasur më shumë sukses, Kryeministri Berisha u shpreh se “Jam optimist se ky projekt është një përgjigje e merituar në një fushë ku korrupsioni ekziston, privatizimet kanë qenë një përgjigje e shkëlqyer dhe e merituar që i është dhënë korrupsionit, në këto korporata”.
Drejtoresha e USAID në Shqipëri, Mahoney, e vlerësoi këtë qendër, një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe një ndihmë të madhe për biznesin. Mahoney, u shpreh se qeveria shqiptare po përmbush më së miri premtimin e saj, për të goditur ndjeshëm korrupsionin.
“Sot, me inaugurimin e kësaj Qendre Kombëtare të Licencimit, Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara, drejt plotësimit të premtimit të saj, për të luftuar korrupsionin, në një mënyrë të prekshme”, tha Mahoney.
Më pas, Kryeministri Berisha dhe Drejtoresha e Misionit të USAID, Mahoney zbuluan një pllakë dedikimi, në të cilën thuhej “Qendra Kombëtare e Licencimit u ngrit nga qeveria shqiptare me ndihmën e popullit amerikan për ta bërë procesin e licencimit të biznesit, në Shqipëri, më të lehtë, më të shpejtë dhe transparent”.
Qendra Kombëtare e Licencimit është hapur me mbështetjen e Fazës së dytë të programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri. Kjo marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milion dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MÇ) dhe administruar nga USAID, ka si synim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku, përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar në këtë mënyrë, klimën ndaj biznesit, në Shqipëri.
...