E Diel, 1 Nëntor 2026

Platforma “Berisha” për biznesin: Ulje të reja taksash dhe shkurtim i kohës për marrjen e licensave

Kryeministri ka paraqitur dje para komunitetit të biznesit objektivat ekonomikë për 4-vitet e ardhshme, ku spikat një projekt për ulje të re të disa kategorive të taksave, por edhe për çrrënjosje të modelit “Rama” që me lejet e ndërtimit, po bllokon industrinë e ndërtimit në kryeqytet

Kryeministri Berisha deklaroi dje se “Katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ky vend do të vazhdojë turravrapin e tij në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, në drejtim të një konkurrence më të lirë e më të ndershme me të gjithë potencialin e tij”. 

Këtë deklaratë Kryeministri Berisha e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me biznesmenë dhe përfaqësues të grupeve, shoqatave të biznesit, gjatë të cilit paraqiti objektivat fiskalë dhe ekonomike në katër vitet e ardhshme.

Reformat e qeverisë

Duke bërë një rezyme të reformave ekonomike, Kreu i Qeverisë tha se “Këto katër vite ne kemi transformuar klimën e biznesit. Këto katër vite ne shndërruam Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Këto katër vite ne instaluam ‘one stop shop’ për regjistrimin e biznesit, nga 42 ditë e zbritëm në gjysmë orë, hoqëm takimet tuaja të mundimshme dhe jo rrallë depersonalizuese me taksambledhësit, vendosëm taksën on-line”. 

Kryeministri Berisha tha se vetëm “Këtë vit ne jemi vendi i vetëm në botë, asnjë vend tjetër nuk është 100 për qind elektronik në prokurime si Shqipëria. Është rritur shumë pjesëmarrja në garë. Statistikat e fundit tregojnë se në çdo garë elektronike mesatarja është 5-6 pjesëmarrës dhe sërish do të rritet e do të përmirësohet”.

Kryeministri Berisha garantoi se “shumë shpejt të gjitha blerjet e kësaj qeverie, edhe ato të vogla,  të gjitha ankandet do të zhvillohen në mënyrë elektronike. Transparencë e plotë”. 

Kryeministri Berisha tha se qeveria ka bërë një lëvizje të rëndësishme në drejtim të heqjes së licencave dhe lejeve, duke u shprehur se ky ka qenë një proces shumë i mundimshëm. 

Duke shpërfaqur dhe objektivat e mëtejshëm të qeverisë në këtë drejtim, Kryeministri Berisha tha se “së shpejti do të krijojmë Qendrën Kombëtare, sportelin unik për energjinë. Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tëra pas kësaj apo asaj lejeje, ju siguroj se parimi ‘Heshtja është miratim’ do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate”, u premtoi Kryeministri Berisha biznesmenëve. 

Modeli Rama

Në funksion të klimës së biznesit, Kryeministri Berisha tha se si fillim “E nisëm me lejet e ndërtimit dhe këtë jo si një akt kundërshtie apo karshillëku ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës”. 

Kreu i qeverisë nuk ka nguruar që pas kësaj fjalie të sulmojë ashpër kreun e opozitës, duke u shprehur se “praktikat e tij janë unike në botë. Ka vetëm tre vende në botë që mbajnë lejen e ndërtimit 333 ditë. Nuk ka vend në botë që kryetari i bashkisë t’i japë 70 për qind të lejeve dy kompanive, ndërkohë që janë 400 që punojnë”. Ka shkuar shumë larg Kryeministri Berisha kur e krahasoi kryebashkiakun e Tiranës me atë të Koresë së Veriut, duke u shprehur se “as i biri i Kim Il Jungut, kryetar bashkie i Phenian-it nuk e bën këtë”. 

Duke shprehur domosdoshmërinë e ndërhyrjes në këtë situatë qesharake të krijuar me lejet e ndërtimit nga kryebashkiaku, Berisha tha se “Edhe këtu u detyruam të ndërhymë me ligj, duke e zbritur në 45 ditë lejen e ndërtimit”. 

Sipas tij mbetet ende për të bërë, pasi “tani mbeten planet urbanistike”. 

Kryeministri Berisha tha se kjo gjendje nuk do të zgjasë dhe për shumë kohë, dhe së shpejti do të marrë fund “me zbatimin rigoroz të ligjeve

Konkurrenca në biznes

Duke folur për konkurrencën e fushën e biznesit, dhe nxitjen e mëtejshme kryeministri Berisha shprehu iniciativën e tij për të kontraktuar një kompani. 

“Për këtë kam filluar përpjekjet për të kontaktuar babanë e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit, Paul. Ai do të vijë në Shqipëri dhe do të punojmë bashkërisht”. 

I sigurt në ndikimin që do të ketë fryma e konkurrencës në biznes dhe për rezultatet e frytshme që mund të japi, Kryeministri Berisha tha se “Shqipëria do të bëhet vendi i konkurrencës më të lirë. Janë në investim e sipër apo do të investohen 15 miliard euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliard euro”. 

I ndërgjegjshëm për klimën e biznesit, kryeministri Berisha tha se “Shqipëria ka nevoja të pafundme. Ju e njihni më mirë. Ndaj ne nuk kemi asnjë instrument tjetër më të fuqishëm, sesa lirinë. Lirinë për ju, për veprimtarinë tuaj”. Premtimi i Kryeministrit Berisha ishte se “Vitet që vijnë do të jenë vitet e përqendrimit total të qeverisë sime në zgjerimin dhe konsolidimin e lirisë së garës suaj, konkurrencës suaj”. 

Kreu i Ekzekutivit foli edhe për disa ndryshime që do të pësojë në tarifat fiskale në vend, Duke u shprehur se “Do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë”. 

Duke e konsideruar të domosdoshme këtë lëvizje në disa sektorë, Kryeministri Berisha tha se “Parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë. Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash”. Duke garantuar se qeveria do të bashkëpunojë me biznesin në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike, Kryeministri Berisha tha se “Sikundër do bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera”. 

I sigurt në qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj krizës ekonomike, Kryeministri Berisha tha se “Unë nuk them se nuk ka pasur pasoja, por, absolutisht, jemi shumë larg vendeve në krizë për sa i përket aspektit të krizës

Duke folur për uljen e taksave që qeveria ka aplikuar, kryeministri Berisha tha se “Ne kemi vendosur taksën e sheshtë. Unë në bindjen time më të thellë jam për taksat e ulëta”. 

Kreu i Qeverisë ka premtuar se qeveria e tij do të vazhdojmë me uljen e taksave “Ky është zotimi im”, tha Kryeministri Berisha. 

Duke kërkuar dhe votën e elektoratit për realizimin e këtyre reformave ekonomike për shqiptarët, Kryeministri Berisha tha se “Për sa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Evropë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në Evropë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›