Berisha: Qeveria, thellësisht e angazhuar për të dyfishuar investimet në zonat rurale të vendit
Kryeministri Berisha vijoi vizitën në zonën e Llakatundit me inaugurimin e përfundimit të punimeve për rrugën e qendrës së LLakatundit, me gjatësi 900 metra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 15 milion lekë.
Në takimin me banorët e zonës, duke i uruar për rrugën e re, Kryeministri premtoi se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të investohet për zonën 4 herë më shumë se sa investimet aktuale.
“Kryetari juaj më informoi se buxheti i shtetit ka dhënë për këtë komunë 4 herë më shumë se qeveritë e mëparshme. Unë garantoj Kryetarin dhe të gjithë ju se qeveria gjatë viteve që vijnë do të japë edhe katër herë të tjera më shumë për komunën tuaj.”
Kryeministri Berisha kërkoi nga pushteti vendor angazhimin maksimal për hartimin e projekteve, në sektorë të ndryshëm, duke siguruar se nga qeveria nuk do të mungojnë financimet për realizimin e tyre, me qëllim përmirësimin dhe modernizmin e jetës së banorëve të zonës.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i Komunës së Llakatundit, zoti Luli Petani i parashtroi kryeministrit Berisha shqetësimin për rrugën tejet të amortizuar që lidh qendrën e Llakatundit me Vlorën, për të cilën Kryeministri siguroi se qeveria do të financojë për ndërtimin e saj, por natyrisht kërkoi nga qeveria vendore hartimin e projektit përkatës.
Kryeministri theksoi se përparësi e politikës qeverisëse mbetet ndërtimi i një infrastrukture bashkëkohore, i shkollave moderne, të standardeve të larta, i ujësjellësve dhe kanalizimeve. Ne synojmë, u shpreh Kryeministri, që fshati shqiptar të ketë një infrastrukturë të gjithanshme evropiane.
Fjala e plotë e kryeminstrit Berisha
Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht e tu falënderoj për pritjen e ngrohtë. Kam ardhur këtu në komunën tuaj, për disa inaugurime, si ujësjellësi në Risili dhe rruga që inauguruam tani. Kryetari juaj më informoi se buxheti i shtetit ka dhënë për këtë komunë 4 herë më shumë se qeveritë e mëparshme. Unë garantoj Kryetarin dhe të gjithë ju se qeveria gjatë viteve që vijnë do të japë edhe katër herë të tjera më shumë për komunën tuaj.
Zoti kryetar ajo çka unë kërkoj nga ju është të angazhoheni për të bërë projektet dhe ju garantoj se qeveria do ti financojë ato, do të financojë çdo projekt që ju dhe Këshilli i Komunës do të aprovojë për të përmirësuar jetën e banorëve të kësaj zone dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në tre vjet ne kemi investuar në zonat rurale të vendit, në komunat e mbarë vendit 1,2 miliard dollarë. Unë dua të garantoj fermerët e Llakatundit se në vitet që vijnë kjo shumë do të dyfishohet, ndaj kërkesa jonë është projekte dhe vetëm projekte. Ju më shtruat problemin e rrugës dhe ne do ta asfaltojmë atë. Në rast se ekziston projekti, fondet do të jepen menjëherë, por në rast të kundërt, në rast se nuk ka projekt, do të bëhet dhe do të fillohen menjëherë punimet. Natyrisht këtë rrugë do ta çojmë deri në qendër të Vlorës.
Duke ardhur këtu, rruga më e dëmtuar ishte segmenti rrugor që i përket Bashkisë dhe që kalon midis varrezave. Bashkia mund ta kishte ndërtuar tre herë këtë rrugë, por meqenëse nuk është bërë, qeveria do ta ndërtojë atë rrugë dhe do ta sjellë nga LLakatundi deri në qendër të Vlorës. Në politikën tonë kemi një qëllim tu sigurojmë juve rrugë të mira, të keni shkolla të mira, që fëmijët tuaj të shkollohen njësoj si në qytet, tu sigurojmë ujësjellësa, kanalizime sepse fshati shqiptar duhet të ketë një infrastrukturë evropiane. Unë ju garantoj se fondet për bujqësinë, vreshtat, pemëtarinë, do të shkojnë drejt dyfishimit, ashtu siç dyfishuam nga viti 2007 deri në vitin 2008. Ky proces do të vazhdojë. Ne po përgatitemi për një projekt të madh kombëtar për ullirin, me të cilën Shqipëria nga 4 deri në 5 milion rrënjë ullinj arrin në 20 milion rrënjë ullinj, sepse ka të gjitha potencialet për zhvillimin e këtij druri. Nga ana tjetër po bëhen të gjitha përpjekjet që prodhimet tuaja të kapin plotësisht tregun e rajonit dhe atë evropian. Do të bëjmë të gjitha përpjekjet për certifikimin e prodhimeve tuaja , në mënyrë që produktet bujqësore të LLakatundit, Vlorës dhe e mbarë Shqipërisë të vlerësohen në tregjet evropiane. Ne do të dyfishojmë pensionet në fshat. Garantoj fermerët se kjo rritje do të vazhdojë deri sa ato do të barazohen me pensionet e qytetit , sepse këtë gjë ju e meritoni plotësisht.
Vëllezër dhe motra! Në tre vjet ne kemi bërë përpjekjen më të madhe për të mbrojtur taksat tuaja , nga shpërdorimi, abuzimi, vjedhja. Ne tre vjet ne ia kemi dalë për të ulur taksat më shumë se çdo vend tjetër në Evropë. Ne ia kemi dalë të mbledhim në buxhetin tuaj të dytë, rreth 3,2 miliard dollarë më shumë se në vitet e tjera të taksave të larta dhe të shpërdorimit. Janë këto fonde të cilat na lejuan ne që të investojmë në zonat rurale të vendit 1.2 miliard dollarë, që na lejuan të ngremë një strukturë tjetër nga Veriu në Jug të Shqipërisë, nga Saranda në Valbonë. Janë këto fonde që bënë të mundur që ne të mbajmë premtimin tonë për arsimtarët e vendit, tu rrisim pagat e tyre me 75 % dhe vitin e ardhshëm ti dyfishojmë ato.
Ne po financojmë qindra e qindra projekte në mbarë vendin, duke u përafruar gjithnjë e më shumë me ëndrrën evropiane. Dje Komisioni evropian dorëzoi raportin, një raport, i cili ndryshon si nata me ditën, si e bardha me të zezën me raportin e viti 2005. Ky raport afirmon plotësisht luftën e suksesshme të qeverisë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, përpjekjen e madhe për ndërtimin e ekonomisë së tregut dhe të institucioneve të saj. Vlera e këtij raporti është jashtëzakonisht e madhe, sepse ne mbi bazën e këtyre specifikimeve bëjmë hapa të tjera drejt Evropës, mbi bazën e këtyre arritjeve ne do të paraqesim kandidaturën për statusin e kandidatit, natyrisht mbi bazën e një marrëveshje dhe negociatave. Natyrisht mbi bazën e këtyre vlerësimeve ne përcaktojmë objektiva të tjerë dhe mbi të gjitha mbi bazën e këtyre vlerësimeve ne do të realizojmë lëvizjen tuaj të lirë në mbarë Evropën.
Përballë kësaj alternative e cila bazohet në premtimet e mbajtura, që bazohet në ndryshimin, nëpërmjet rritjes së pagave, të pensioneve, nëpërmjet ndërtimit të rrugëve, të ujësjellësave , shkollave të reja, rritjes së investimeve, ka dhe një alternativë tjetër, ajo e mashtrimit, politika e re e xhaketës së Ruçit dhe Ramës. Ju jeni vetë të mençur dhe dini të zgjidhni. Me xhaketat e Rucit dhe të Edi Ramës shkohet drejt të së shkuarës ndërsa ne me ndërtimet, me rrugët, me shkollat, me përpjekjet tona për integrim, me ftesën e Shqipërisë për në NATO , ne ecim të sigurt drejt të ardhmes. Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju garantoj se do të financojmë çdo projekt që Këshilli juaj i Komunës dhe Kryetari i Komunës së Llakatundit do të paraqesë pranë qeverisë dhe me kënaqësinë më të madhe do të financohet që të përmirësojmë jetën tuaj.
...