Reforma zgjedhore, miratohet formula e re për KQZ-në, jashtë LSI dhe PDK
Ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor parashikojnë që kryetari i KQZ-së të zgjidhet në Kuvend dhe ai do t'i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari do të zgjidhet në KQZ dhe do t'i takojë opozitës. Dy grupet e mëdha parlamentare PD dhe PS do të kenë të drejtën të kenë në KQZ nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të propozohen nga deputetë të grupeve të tjera parlamentare përkatësisht, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca.
Pavarësisht kontestimeve publike të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane, komisioni i posaçëm zgjedhor miraton draftin e ekspertëve në kapitullin që përcakton formulën e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Këtë e konfirmoi pas mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, bashkëkryetari socialist, Fatmir Xhafaj.
“U vendos përfundimisht që formula e përbërjes së KQZ-së të jetë me shtatë anëtarë, nga nëntë anëtarë që ka qenë deri më tani, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe
në draftin e ekspertëve”, deklaroi ai.
Sipas bashkëkryetarit socialist, tashmë komisionit i ka mbetur pa miratuar kapitulli në Kodin zgjedhor që lidhet me ankimimet dhe sanksionet gjatë proceseve zgjedhore.
Ndërkaq, drafti për KQZ-në është kundërshtuar në përfaqësuesit e LSI-së, të cilët kishin paraqitur në komision disa amendime lidhur me institucionin zgjedhor, që nuk u pranuan. Edhe dje përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Spartak Braho akuzoi dy partitë e mëdha për mungesë transparence në hartimin e amendimeve, ndërsa premtoi se LSI do ti kundërvihet as që ai e cilësoi “si fashistizim i vendit nga dy partitë e mëdha” . Komisioni i posaçëm pritet që brenda kësaj jave të përfundojë miratimin e ligjit të ri për zgjedhjet, të cilin më pas do t'ia përcjellë komisionit parlamentar të Ligjeve, para kalimit në seancën plenare në Kuvend. Kodi i ri Zgjedhor, që pritet të votohet së shpejti në Kuvend, sjell me vete dhe një konfigurim të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kuadër të përpjekjeve të politikës shqiptare për një vizion ndryshe të institucionit që administron zgjedhjet në Shqipëri.
Komisioni i posaçëm zgjedhor miratoi të mërkurën variantin përfundimtar për një nga kapitujt kryesorë të Kodit Zgjedhor, që lidhet me përbërjen e KQZ-së. Formula e re e këtij institucioni do të jetë 3+3+1 anëtarë ose e thënë ndryshe katër përfaqësues do t'i përkasin mazhorancës dhe tre të tjerë opozitës. Ndryshimet e miratuara në Kodin e ri duken thelbësore për institucionin zgjedhor, duke filluar me pakësimin e numrit të anëtarëve të KQZ-së nga 9 në 7, me zgjedhjen e tyre që do të bëhet vetëm nga parlamenti, ndërkohë që ka qenë kompetencë e Presidentit dhe e KLD-së. Gjithashtu, mandati i KQZ-së ulet nga shtatë në katër vjet, aq sa është dhe mandati i parlamentit, duka garantuar kështu një balancë politike në institucionin e zgjedhjeve. Ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor parashikojnë që kryetari i KQZ-së të zgjidhet në Kuvend dhe ai do t'i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari do të zgjidhet në KQZ dhe do t'i takojë opozitës. Dy grupet e mëdha parlamentare PD dhe PS do të kenë të drejtën të kenë në KQZ nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre, ndërsa dy anëtarët e tjerë do të propozohen nga deputetë të grupeve të tjera parlamentare përkatësisht, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca.
Paketa e ndryshimeve kushtetuese, e votuar më 21 prill të këtij viti në Kuvend, vendosi që KQZ të mos jetë më institucion kushtetues, ndërsa tashmë Kodi i ri Zgjedhor do ta përcaktojë atë një organ që do të administrojë proceset elektorale dhe certifikojë rezultatet e zgjedhjeve.
Ja ndryshimet në përbërjen e KQZ-së
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë 7 anëtarë, nga 9 që ka.
- Mandati i anëtarëve nga 7-vjeçar, do të bëhet 4-vjeçar.
- Anëtarët e KQZ do të zgjidhen vetëm nga parlamenti.
- Kryetari i KQZ-së do t’i përkasë mazhorancës, nënkryetari opozitës.
- PD dhe PS do të kenë të sanksionuar të drejtën për nga dy anëtarë.
- Dy anëtarët e tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera.
...