E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin festimet për 100- vjetorin e Kongresit të Mansartirt

Trashëgimtarë, përfaqsësues të familjeve të delegatëve Kongresit të Manastirit janë mbledhur ditën e djeshme në ambjente të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”Arbnori” për të diskutuar në lidhje me kremtimin e 100-të të këtij përvjetori në Manastir (sot qyteti Bitola në Maqedoni) në shtëpinë e Zavalanëve dhe Qirjazëve, ku u mblodh Kongresi më 1908. 100-vjetori i alfabetit shqip dhe nderimi i atyre që kanë dhënë jo vetëm kontributin por edhe jetën e tyre për gjuhën shqipe ka qenë tema e këtij aktiviteti. “Ky është një aktivitet shumë i rëndësishëm. Për mua personalisht mbas shpalljes së pavarësisë është më i rëndësishmi në historinë e kombit shqiptar. E theksoj të kombit shqiptar pasi në këtë kongres morën pjesë përfaqësues nga të gjithë trevat me kombësi shqiptare dhe nga arbëreshët e Italisë, edhe nga Kosova apo Amerika. Pra mund të themi me plot gojën që ky është një kongres i kombit shqiptar”- është shprehur Petro Luarasi, trashëgimtar i Petro Nini Luarasit . Ndërkohë që mbesa e Simon Shuteriqit është shprehur se ndihet shumë e kënaqur, krenare dhe e lumtur për këtë kujtim që i bëhet personaliteteve që deri më sot janë lënë disi në harresë. Për rëndësinë e këtij kongresi foli edhe Ruzhdi Mata, gjithashtu mbesa e Aleks Budës e cila tregon se në shtëpinë e saj ka shumë kujtime të bukura nga ajo e kaluar, një pjesë të të cilave është munduar t`i shkruajë. Të tjerë pasardhës ishin Perikli Jorgoni, Sulejman Starova etj. Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si dhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm, që do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu dhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar. Sipas projektit të zonjës Elida Jorgoni, një grup nga pinjollët e familjeve të ish-delegatëve të këtij kongresi të madh u mblodhën për të vendosur në lidhje me kremtimin e kësaj ngjarjeje. Bordi drejtues i përbërë nga pasardhësit e këtyre delegatëve, parashikon kremtimin e këtij përvjetori në Manastir (sot qyteti Bitola ne Maqedoni) në shtëpinë e Zavalanëve dhe Qirjazëve, ku u mblodh kongresi më 1908. Ky projekt u mbështet nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës”Arbnori”. Qëllimi i kësaj veprimtarie është që tri gërmat e para të alfabetit tonë, njëlloj si ato që janë vendosur në oborrin e shkollës së patrë shqipe në Korçë, të vendosen së bashku me kurorat me lule në shtëpinë ku u mbajt Kongresi. Pushtetarë, banorë, nxënës nga shkolla 9-vjeçare “Mësonjëtorja e parë Shqipe” dhe nga shkollat e tjera të qytetit të Korçës, të shoqëruar nga banda e qytetit, do të përcjellin me nderim simbolet dhe delegatët pjesëmarrës. Alfabeti kombëtar i sotëm është kurorëzim i një pune disashekullore, një proces që zgjati afër katër shekuj dhe që u përfundua në nëntor 1908 me punën e Komisionit të Kongresit të Manastirit. Ndaj në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme do të zhvillohen një sërë veprimtarish, duke filluar me Konferencën Shkencore Mbarëkombëtarë që do të mbahet në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës në bashkëpunim me Bashkinë e Qytetit, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si dhe pjesëmarrësve nga Universitetet e Prishtinës, Tetovës, Shkupit, diasporës, etj. Në Korçë dhe prej saj do të nisen drejt manastirit delegatët e Kongresit të Manastirit, trashëgimtarë të ish-shkrimtarëve e publicistëve më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni etj. Kongresi u hap më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarë shqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj. Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar. Kongresi nëntë ditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët të linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Pse i duhej shqipes një alfabet thjesht latin dhe cilat ishin përparësitë e tij? Alfabeti latin i përshtatej më mirë gjuhës shqipe, atë e përdor bota e qytetëruar evropiane, prandaj i duhej ta përdornin edhe shqiptarët që i përkasin kësaj bote evropiane; alfabeti latin kishte një traditë shekullore në Shqipëri, i shkëpuste shqiptarët nga alfabeti arabo-turk dhe ai grek, me të cilët nuk e lidhte asgjë, duke shmangur kështu edhe rrezikun e madh të shkombëtarizimit”. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›