E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e 10-të e Superligës starton me përballjen në Kavajë, Besa-Paetizani

Autori i Lajmit: red.
Kalendari nuk e ndihmon aspak Partizanin që do të hapë javën e dhjetë të Superligës me ndeshjen e vështirë jashtë fushe kundër Besës, e cila do të zhvillohet ditën e premte. Të kuqtë e kryeqytetit po kalojnë një krizë të vërtetë në këtë sezon, duke u renditur në vendin e fundit me 5 pikë dhe përballja me Besën nuk i favorizon aspak të besuarit e trajnerit Shpëtim Duro. Skuadra kavajase vjen në këtë takim pas barazimit të rëndësishëm 1-1 kundër Tiranës. Pas dështimit me Shkumbinin (0-2) në kryeqytet, trajneri i dytë sezonal i Partizanit, Shpëtim Duro, do të tentojë të marrë pikë në fushën e vështirë të Besës, në ndeshjen hapëse të javës së 10-të (ora 14:00). Partizani gjatë nëntë javëve të para ka pësuar gjashtë humbje, teksa sezonin e kaluar, kur u shpall nënkampion i vendit, për herë të 19-të, pësoi në 33 javë vetëm katër humbje. Të “kuqve” u janë larguar tre brazilianët (Roma, Bruno e Kastelani), por në dispozicion të teknikut nuk do të jetë as mesfushori i Kombëtares, Elis Bakaj (i pezulluar), e mbrojtësi i njohur Fatjon Tafaj. Trajneri Duro tha se “Besa është një kundërshtar i fortë dhe në të gjitha parametrat janë superiore ndaj nesh, në aspektin moral, të pikëve dhe në organikën që ka”. Besa, që të dielën barazoi 1-1 me Tiranën kryesuese në “Qemal Stafa”, aktualisht ndodhet në vendin e 5-të me 15 pikë, dhjetë më shumë se Partizani i vendit të fundit. Nga statistikat e 15 herë kampionëve të Shqipërisë veçohet një fakt: e vetmja fitore në 9 javët e para është realizuar në transfertë (ndaj Lushnjës), ndërkohë që në shtëpi 15 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë nuk kanë mundur të fitojnë asnjë nga katër takimet e luajtura në Tiranë. Java e dhjetë e Superligës do të vazhdojë ditën e shtunë me tre ndeshje të tjera. Lushnja do të presë në fushën e saj Vllazninë, e cila është rikthyer te fitorja, pasi mundi javën e shkuar Elbasanin me rezultatin 2-0. Teuta do të presë në shtëpi Bylisin, dy skuadra këto që kanë treguar ngritje në lojën e tyre në javët e fundit të kampionatit. Sfida tjetër e ditës së shtunë do të zgjidhet mes Shkumbinit dhe Apolonisë. Peqinasit vijnë në këtë ndeshje, pas fitores në kryeqytet kundër Partizanit, ndërkohë që ekipi fierak nuk po kalon një moment të mirë që u shoqërua me largimin e trajnerit Haxhiaj. Java e dhjetë e Superligës do të plotësohet me dy ndeshjet e ditës së diel, të cilat janë dhe më të rëndësishmet. Kryesuesit e Tiranës do të luajnë në fushën e vështirë të Elbasanit që po kalon një moment të vështirë si skuadër. Ndërkohë, kampionet në fuqi të Dinamos do të presin në kryeqytet Flamurtarin.
Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›