E Diel, 1 Nëntor 2026

Alpha Bank kremton 10 vjetorin e veprimtarisë së saj në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Në këtë eveniment, të mbajtur mbrëmë në Tiranë, tek “Sheraton Hotel”, ishin të pranishëm shumë klientë dhe miq të cilët u pritën ngrohtësisht nga Presidenti i Alpha Bank Group, Yannis Costopoulos dhe Drejtori i Alpha Bank – Albania Andreas Galatoulas.

Në këtë eveniment morën pjesë gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank z. Demetrios P. Mantzounis, Drejtori z. Spyros N. Filaretos, Drejtori Ekzekutiv z. Christos Ch. Giampanas dhe zyrtarë të tjerë të Bankës.

Qeveria shqiptare ishte e pranishme me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe atij të Ekonomisë, Genc Ruli.

Gjithashtu, mori pjesë në këtë pritje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe nuk mungoi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Profesor Anastasi.

Në emër të Bashkisë së Tiranës ishte i pranishëm z. Eduart Shalësi, nënkryetar i bashkisë.

Presidenti i Alpha Bank Group, z. Costopoulos iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë ne kemi arritur të bëhemi protagonistë të zhvillimit të Shqipërisë me një zgjerim të madh të aktivitetit tonë duke i besuar kushteve pozitive të mjedisit makroekonomik shqiptar, inflacionit të ulët dhe stabilitetit monetar. “Dëshiroj të falënderoj autoritetet shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e tyre gjatë këtyre viteve dhe premtoj se 10 vitet e ardhshme do të jenë po kaq të suksesshme sa ato që shkuan”, – deklaroi z. Costopoulos.

Drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank – Albania, z. Galatoulas i uroi mirëseardhjen të ftuarve duke i falënderuar për besimin dhe mbështetjen ndaj Alpha Bank në gjithë këto vite si dhe përgëzoi punonjësit e Bankës për përkushtimin dhe punën e tyre gjatë këtyre 10 viteve duke kontribuar që Alpha Bank - Albania të arrijë rezultate shumë të mira.

Alpha Bank - Albania që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri në vitin 1998, ka qenë një partner i fuqishëm dhe dinamik në zhvillimin e vendit.

Shumë projekte me karakter kombëtar, siç janë ndërtimi i seksionit Rrëshen - Kalimash i rrugës kombëtare Durrës-Morinë dhe ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, janë financuar nga Alpha Bank-Albania në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare.

Alpha Bank – Albania, operon sot në 40 Degë në të gjithë vendin, në Tiranë dhe rrethe. Prioriteti i parë është zgjerimi i mëtejshëm i veprimtarisë së bankës në të gjithë vendin dhe ofrimi i produkteve dhe shërbimeve sipas nevojave të klientëve të saj.

Numri i punonjësve të Alpha Bank - Albania është rreth 360.

Që nga dita e parë e aktivitetit të saj në Shqipëri, qëllimi i Alpha Bank - Albania ishte prezenca e madhe e një banke të huaj në tregun vendas me një rol të rëndësishëm në zhvillimin jo vetëm të sistemit bankar, por gjithashtu edhe të të gjithë vendit.

Objektivi kryesor mbetet rritja e pjesës së tregut, si dhe renditja në kreun e listës së bankave në Shqipëri.

Me besim, devotshmëri dhe vizion të qartë Alpha Bank - Albania u përmbahet vlerave që kanë drejtuar aktivitetin e saj që nga themelimi: integriteti, respekti, përkushtimi dhe cilësia janë vlera që do të vazhdojnë të mbeten vitale edhe në të ardhmen.

Alpha Bank, e themeluar në 1879, është një nga bankat më të mëdha në Greqi. Me një rrjet prej 946 Degësh (409 Degë në Greqi), Alpha Bank Group është gjithashtu aktive në tregun ndërkombëtar bankar, me prezencë në gjithë Evropën Juglindore, në Qipro si dhe New York, Londër dhe Jersey

Ky lajm është publikuar: 07/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›