E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Qytetarë të NATO-s, jo vullnetarë të Edi Ramës

 

Kryeministri Berisha ka garantuar nga qyteti i Lushnjes dyfishimin e rrogave të mjekëve, arsimtarëve, infermierëve dhe pensionet e pensionistëve. Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kreu i qeverisë inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krutje - Fier Shegan, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 258 milionë lekë si dhe fillimin e punimeve për sistemim-asfaltimin e hyrjes së qytetit të Fierit dhe rikonstruksionin e urës së Mbrostarit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë  283. 304. 487 lekë. Duke folur para qytetarëve të Lushnjes, Kryeministri Berisha tha se “ne, së bashku do të forcojmë ekonominë e vendit dhe do të zhvillojmë vendin. Këtë vit buxheti i qeverisë është 100 për qind i garantuar për të dyfishuar rrogat e mësuesve, për të dyfishuar pensionet e fermerëve, për të dyfishuar pagat e infermiereve, për të dyfishuar pagat e mjekëve dhe për të ndërtuar qindra e mijëra kilometra rrugë, ujësjellës, shkolla”. Sipas tij maxhoranca po kërkon një tjetër mandat të dytë, pasi mbajti premtimet në katër vjet për sa i përket investimeve në infrastrukturë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë ironizoi kundërshtarin e tij politik për turin me vullnetarët që ka ndërmarrë në disa rrethe të vendit. “Rivali im duke parë moton tonë të përbashkët se “Krutja po ndryshon”, “Shqipëria po ndryshon”, vendosi të na imitojë dhe për këtë le ta falënderojmë bashkërisht. Por, ka një problem, ndryshimi i tij vjen si një ndryshkim i vërtetë. Ndaj, më lejoni t’i them këtu; Zoti Rama mos i ofendo shqiptarët! Së pari, këta burra dhe gra, këta të rinj dhe të reja, nuk kanë nevojë të jenë vullnetarë as të Edi Ramës dhe as të Sali Berishës, por kanë nevojë të jenë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s dhe ne do t’i bëjmë qytetarë të NATO-s”, theksoi më tej Berisha. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›