Rama: Jo fitore për të ndërruar ministrat
Kreu socialist u premtoi banorëve të Tepelenës se fitorja e 28 qershorit do të kthejë fletën e historisë. Gjatë një takimi të gjerë me Vullnetarët e Bashkimit të Ri në këtë qytet, kreu socialist u shpreh se fitorja e këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë e tij, por e qytetarëve. “Zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë të miat, por tonat. Këto zgjedhje janë të lidhura me çka ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë, duke e kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve”, tha Rama. Sipas tij, “kjo politikë e vjetër që jeton vetëm me dështimet që i shkakton po vetë duhet të marrë fund, pasi ka vonuar rrugën e Shqipërisë drejt mirëqenies dhe zhvillimit”. “Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për t’i dhënë jetë një bashkimi njerëzish që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborre familjare e klanore sa djathtas e majtas. Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh”, tha Rama. Sipas tij, kjo fitore nuk do vijë për të ndërruar disa ministra me disa të tjerë. Fitorja e 28 qershorit do të vijë për të lidhur fjalët me veprat. Për të lidhur më në fund vullnetin e popullit me sjelljen dhe me rezultatet e qeverisjes. Rama kritikoi qeverisjen e vendit, e cila sipas tij ka rritur koston e jetesës së qytetarëve shqiptarë. “Ata ju çojnë çdo muaj faturën e papërballueshme aforfe të kostos së rritur të jetesës, kurse vetë dalin në televizor për t’ju thënë se sa mirë jetoni. Ju nuk keni dritë, ata ju thonë se jua japin 24 orë, pavarësisht se juve ju ikin dritat. Ju nuk keni punë, ata ju thonë se Shqipëria po zhvillohet më shpejt se Kina. Ju nuk arrini dot fundin e muajit dhe nuk blini dot as ilaçet, e jo më dhuratën për ditëlindjen e fëmijës, ata ju thonë se ju kanë rritur pensionin e rrogën, si asnjëherë më parë”, tha Rama në takimin me banorët e Tepelenës. p.n.