E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi, në burg pa afat përdhunuesi

 

PESHKOPI/ HASAN PASHA

Nuk pritej tjetër vendim, veç atij me "arrest me burg pa afat" për 18-vjeçarin Ledjan Halili, i akuzuar për përdhunimin e një fëmije vetëm 4 vjeç. Dosja e kopsitur mirë nga prokurorët e Peshkopisë, dëshmia e të akuzuarit, deklaratat e forta të prindërve të djalit të vogël dhe opinioni i krijuar në këtë rreth, kanë bindur Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër të vendosë dje në mesditë masën e sigurisë "burg pa afat" për Ledian Halilin. Prokurorja e kësaj çështjeje, Belina Zeneli, ka lexuar para trupit gjykues akuzën dhe i ka kërkuar atij izolimin në burg të shtetasit Halili, i akuzuar për përdhunim të të miturit. Duke lexuar akuzën, Prokurorja Zeneli ka faktuar se ekzistojnë provat e mjaftueshme për krimin e kryer. Fillimisht djali 4-vjeçar ka "drejtuar gishtin" drejt kushëririt që kishte kryer aktin kriminal dhe të turpshëm. Më pastaj kanë qenë mjekët e spitalit të Peshkopisë dhe ai i ekspertizës ligjore, që kanë faktuar se fëmija ishte përdhunuar dhe se shenjat që fëmija kishte në trup vërtetonin kryerjen e aktit seksual. Ndërkohë, Prokuroria gjatë marrjes në pyetje të 18-vjeçarit është siguruar nga vetë i pandehuri Ledjan Halili, se ai e kishte kryer aktin në shtëpinë e tij, duke e mashtruar fëmijën e vogël dhe më pastaj duke e përdhunuar. As dje në sallën e gjyqit, Halili dhe avokati i tij mbrojtës nuk kanë arritur të thonë të kundërtën, duke e lehtësuar në një farë mase gjykatën në dhënien e vendimit. Gjatë seancës së djeshme, asnjë familjar, as të autorit apo të pandehurit, nuk ishin të pranishëm në gjykatë. 
Burime pranë organit të akuzës Peshkopi saktësojnë se sapo janë vënë në dijeni nga policia e këtij qyteti për krimin e kryer nisën hetimet. Bashkë me efektivët e policisë është ngjitur në fshatin Bahutë dhe njëri nga prokurorët e këtij rrethi. Ai së bashku me oficerë të policisë gjyqësore kanë hetuar imtësisht rreth ngjarjes së rëndë. Vetëm pak minuta pas ndalimit të 18- vjeçarit, oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët e Dibrës janë siguruar se autori i ngjarjes ishte Ledjan Halili, i cili pa kurrfarë presioni a dhune ka pranuar autorësinë e saj. Burime të rezervuara pranë grupit hetimor thanë për "Panorama" se kanë shtangur kur kanë mbërritur në spital dhe kanë parë nga afër gjendjen shëndetësore të djalit 4-vjeçar. "Na janë errur sytë kur kemi parë foshnjën e masakruar. Nuk kemi dashur ta besojmë se ishte katandisur në atë gjendje nga kushëriri i tij. Plagët dhe hemorragjia e krijuar për shkak të përdhunimit kanë shokuar familjarët, mjekët, prokurorët, efektivët e policisë", thanë oficerë të policisë gjyqësore, që kanë hetuar për dy ditë me radhë ngjarjen e rëndë. Mësohet se Ledjan Halili është transportuar që mbrëmë nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Dibrës në drejtim të Burgut të të miturve në Vaqarr të Tiranës. Atij i duhej edhe tre muaj të mbushë moshën 18 vjeç. Sipas Prokurorisë së Dibrës, i riu tashmë do të hetohet nga Sektori i Prokurorisë të Miturve dhe ndëshkimi do të vijë pas një vendimi të Gjykatës së të Miturve. Të pyetur nëse 18-vjeçari ka nevojë për një ekzaminim psikik, specialistët ndahen në mendimet e tyre. Disa mendojnë se pas dërgimit të tij në Tiranë, prokurorët do të kenë mundësi të kryejnë vizitat e duhura për të provuar nëse Halili është një njeri normal. Ndërkohë të tjerë thonë se është e kotë të kryhen analiza e vizita mjekësore, pasi Ledjan Halili as nuk është mjekuar si skizofren dhe as nuk ka paraqitur shenja të problemeve mendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›