Topi: Të përndjekurit duhet të dëmshpërblehen
Aristir Lumezi
Presidenti Topi kërkon sërish dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar një takim me familjarët e 22 qytetarëve, që u pushkatuan pa gjyq pas bombës së hedhur në ambientet e Ambasadës Sovjetike në vitin 1951 për t’iu rikthyer edhe njëherë kësaj çështjeje. Në fjalën e tij Presidenti theksoi se ngjarje të tilla janë shumë të rëndësishme të kujtohen, teksa shtoi se përmes këtyre historive duhet të jepen mesazhe për paqe sociale në vend. “Gjithçka të vlerësohet në atë linjë që ne kemi thënë, veçanërisht në mënyrë shumë frekuente në muajt e fundit, që të bëhet gjithçka jo thjesht për t’i kujtuar, por për të rikuperuar sado pak edhe në linjën e ligjeve, të dëmshpërblimeve morale dhe ekonomike për një shtresë dhe për pasardhësit e tyre, të cilët mbi dramën e tyre, i kanë dhënë një mesazh mjaft të rëndësishëm pasardhësve të shoqërisë shqiptare, që dinë të ndërtojnë jetën e tyre në mënyrë shumë të ndershme, edhe atëherë kur dhimbja ka qenë shumë e madhe”, theksoi kreu i shtetit në fjalën e tij. Duke iu rikthyer kujtimit të kësaj ngjarje, Topi theksoi se “ju në një koncetrat të admirueshëm, dhatë gjithçka që ka ndodhur brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore në kulmin e represionit komunist mbi familje të ekstraktuara nga i gjithë territori shqiptar për t’i treguar shoqërisë së kohës dhe, sikurse thoshte im atë ndjesë pastë, “për mustaqet e Stalinit” u vranë njëzetedy përfaqësues të familjeve më të shquara shqiptare”. Në këndvështrimin e kreut të shtetit, ekzekutimi i 22 personave për një bombë të hedhur në ambientet e brendshme të Ambasadës Sovjetike ishte një ngjarje që tronditi jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. “Ka qenë një ngjarje e dhimbshme, ku përfaqësuesit e shtetit komunist demonstruan jo vetëm genocidin ndaj bashkëkombësve të tyre, por ishte një tregues i qartë i një servilizmi të pashoq ndaj Bashkimit Sovjetik”, vijoi më tej kreu i shtetit. Ndërsa Amik Kasoruho, i biri i Qemal Kasoruhos, njërit prej viktimave të 27 shkurtit 1951 theksoi se “do të flas për të gjithë ata që nuk kanë gjetur ngushëllim, që nuk kanë gjetur shpagë gjatë këtyre viteve dhe duke falënderuar Presidentin për këtë rast që na jep. Mund të thuhen shumë fjalë, por të më falni se emocionet janë të atilla që nuk më lejojnë të zgjatem shumë. Sot është dita e përvjetorit. Sot jemi te Presidenti. Janë dy ngjarje shumë kontradiktore në pamje të parë. Vrasja e njerëzve dhe nderimi i kujtimit të tyre. Kjo është jeta jonë”. Familjarët dhe pasardhësit e njëzet e dy viktimave të arrestuara e më pas të pushkatuara, ku numëroheshin disa prej intelektualëve më të shquar e më në zë të kohës si Pjerin Guraziu, Niko Lezo, Anton Delhysa, Qemal Kasaruho, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Jonuz Kaceli, etj, u takuan me kreun e shtetit, duke përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial. Familjarët i dhuruan kreut të shtetit librin e Uran Butkës “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, ku pjesë të së cilës u lexuan nga aktori i njohur Rikard Ljarja, të shoqëruara në sfond nga tingujt funebër të pjesës “Adaxhio në G” nga Albinoni.
Nisma e Bushatit, Kuvendi e cakton në 12 mars
Kuvendi ka vendosur që më 12 mars të votohet amendamenti i deputetit të PD-së, Astrit Bushati, në lidhje me ndryshimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë”. Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare, e mbledhur dy ditë më parë, ka përcaktuar se “nisma e deputetit shkodran Bushati do të shqyrtohet të enjten, më ka përcaktuar se “nisma e deputetit shkodran Bushati do të shqyrtohet të enjten, më 12 mars”. Nisma për të shtuar numrin e përfituesve për ish-të përndjekurit që nuk kanë lënë trashëgimtarë, duke bërë që përfituesit të jenë motrat, vëllezërit ose nipërit e mbesat, është duke u shqyrtuar në Ministrinë e Financave. Dikasteri që mban kontrollin e arkës së shtetit pritet të japë një mendim për nismën.