E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rinia me LSI-në kundër kastës

 

“Rinia e ka bërë zgjedhjen e saj, duke u bashkuar gjithmonë edhe më shumë kundër kësaj kaste dhe duke zgjedhur një forcë të re, sikurse është Lëvizja Socialiste për Integrim”. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje në qytetin e Fierit një takim të zgjeruar me të rinj përkrahës të kësaj alternative. Në fjalën e tij Meta tha se, “duke parë këtë entuziazëm ndihemi akoma më të sigurt në fitoren e LSI-së më 28 qershor”. Sipas tij, vendi është në gjendje kritike. “Është në një krizë ekonomike, ku çdo familje fierake dhe shqiptare e ndien në portofolin e saj, që sa vjen dhe bëhet përherë dhe më i ngushtë për të përballuar shpenzimet në rritje”.
Shqipëria sot është në një krizë morale, sepse drejtohet nga një Kryeministër që do duhej të ishte larguar që në 15 mars të vitit të kaluar, ku 26 shqiptarë dhe midis tyre shumë nëna dhe fëmijë humbën jetën, duke luftuar për të nxjerrë bukën e gojës mes predhave të Gërdecit”, tha Meta. Sipas tij, “LSI është në opozitë me një kastë, e cila në vend që të përmbushte realizimin e standardeve për zgjedhje, ka bërë çdo gjë për të dëmtuar cilësinë e këtij procesi, kaq të rëndësishëm dhe jetik për vendin.
Dhe të gjitha këto vijnë nga tmerri që ata kanë nga kjo forcë e re që ka dalë nga gjiri i popullit shqiptar, dhe nga gjiri i rinisë shqiptare, sikurse është Lëvizja Socialiste për Integrim”. Meta premtoi se pas 28 qershorit LSI do të punojë për të krijuar filiale të universiteteve në qytetet më të rëndësishme, “ashtu sikurse sot në Lushnjë në kujdesin e kryetarit të Bashkisë së LSI-së, tashmë është hapur filiali i Universitetit Bujqësor, që të rinjtë dhe të rejat të formohen edhe se më pranë familjeve të tyre, sepse ne e dimë që shkolla është një shpenzim shumë i madh për çdo familje shqiptare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›