E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, votat e partive në zarfe

 

BLEDAR HOTI

Të gjitha votat e 28 qershorit për partitë politike do të paketohen në zarfe të posaçme. KQZ-ja diskutoi dje mbi mënyrën e ndarjes së votave të secilit subjekt politik, duke i ndarë me zarfe të ndara. Grupi i Numërimit të Votave duhet të paketojë në zarfe të veçanta votat e secilit subjekt politik, duke zbatuar kështu edhe një detyrim të ri ligjor që përcakton Kodi Zgjedhor. Një gjë e tillë ndërmerret për të shmangur problemet me votat e partive politike, të cilat kanë kontestuar mënyrën e procesit të votimit. Kjo nismë mendohet të lehtësojë disi procesin zgjedhor, si dhe përsa i përket çështjes së ankimimeve. Gjithashtu mësohet se do të ketë edhe zarfe të tjera të sigurisë, të cilat do të përdoren për të ndarë në mënyrë të veçantë fletët e votimit të pavlefshme, fletët e votimit të papërdorura, i fletëve të votimit të kontestuar, të dëmtuara. Grupet e Numërimit të Votave së bashku me Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor do të kenë detyrën më të vështirë për të ndarë sipas zarfeve të përcaktuara. Udhëzimi i KQZ-së për zarfet ka ndarë më dysh anëtarët me përfaqësuesit e partive politike, Njazi Kosovrasti të PD-së dhe të Genc Gjonçajt të PS-së. Kontestimi i parë i paraqitur nga Kosovrasti ka lidhje me mënyrën se si do të përfshiheshin në një zarf të vetëm, zarfet me votat e veçanta të gjitha partive politike. Sipas përfaqësuesit të PD-së, një gjë e tillë është e pamundur të realizohej. Por sqarimet e anëtarëve të KQZ-së më këtë mbledhje, që drejtohej nga nënkryetarja Dëshira Subashi, kanë bërë që të tërhiqej nga kërkesa e parë. Ndërsa kontestimi tjetër lidhej me faktin se parashikohej që zarfi me votat e kontestuara të merrej në administrim nga ana e KZAZ-së. “Nuk ka mundësi që KZAZ-ja të administrojë këtë zarf, pasi ky komision duhet të shprehet për votat e kontestuara, duke i cilësuar si të vlefshme, ose të pavlefshme”, deklaroi Kosovrasti. Anëtarët e KQZ-së kanë qenë skeptik fillimisht me këtë qëndrim të Kosovrastit, duke deklaruar se bëhet fillimisht për një procedurë të ndjekur nga ana e  Grupet e Numërimit të Votave. Por anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi ka kërkuar që të mos nxitohej në marrjen e një vendimi të tillë, pa e studiuar më parë mënyrën se si do të realizohej një proces i tillë. Kërkesa për shtyrjen e marrjen e vendimit u parashtrua edhe nga dy përfaqësuesit e partive politike, Kosovrasti i PD-së dhe Gjonçaj i PS-së. Drejtuesja e mbledhjes, nënkryetari Subashi pranoi kërkesën e paraqitur nga partitë politike dhe së bashku me gjashtë anëtarët e pranishëm ranë dakord që të shtyjnë vendimin për ditën e sotme. Procedura për nxjerrjen e zarfeve të posaçme për zgjedhjet, është parashikuar në nenet 99, pika 1/d,dh,e, nenit 118, pika 5, nenit 119 pika 3 të ligjit 10 019, datë 29.12.2008  të “ Kodit Zgjedhor”. Drejtoria e Logjistikës ka përgatitur modelet dhe specifikimet për çdo zarf. Zarfi me votat e partive politike do të jetë i bardhë, me material plastik dhe me 40*60. Në të do të përfshihet edhe emri i çdo subjekti politik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›