Berisha: Qytetin e Vlorës do ta bëjmë me aeroport
Qeveria i premtoi Vlorës parkun industrial, portin më të madh të Mesdheut dhe aeroportin e saj në rast se Partia Demokratike dhe aleatët e saj fitojnë një mandat të dytë. Kryeministri Berisha ishte dje në qytetin bregdetar, ku zhvilloi një takim me të rinj e të reja, nxënës dhe studentë. Berisha u shpreh se ky takim zhvillohej pas dy ngjarjeve shumë të rëndësishme për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë, siç është anëtarësimi me të drejta të plota në NATO dhe paraqitja e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. "Vlora dhe Shqipëria kishin shekuj që prisnin këto dy data. Këto dy data sot janë realitet‘, u shpreh Kryeministri. Duke theksuar se Vlora çdo ditë e më shumë bëhet metropol evropian i Shqipërisë, Kryeministri nënvizoi se Vlora është tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt zhvillimit dhe modernizimit, për një jetë më të mirë për qytetarët e saj. "Vlora është sot epiqendër turistike kryesore e vendit, Vlora ka sot një nga qendrat universitare më të fuqishme të vendit. Vlora nga sot do të fillojë të ndërtojë parkun industrial. Vlora ka sot burimin e vet energjetik. Vlora do të ketë njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut. Ky qytet do të ketë aeroportin e tij, ndaj dhe ju do të ndiheni gjithnjë e më shumë si të rinj e të reja, qytetarë të metropolit të vërtetë evropian", u shpreh Berisha. Kryeministri premtoi se në mandatin e dytë qeverisës, liberalizimi i vizave do të jetë objektivi kryesor për t‘u arritur. "Ne do të punojmë së bashku për mandatin tonë të dytë, për mandatin tuaj, mandatin e ëndrrave më të bukura të shqiptarëve, mandatin e horizonteve të reja, e ëndrrave të shndërruara në realitet, mandatin e Vlorës metropol evropian, mandatin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, e shkollimit më të mirë të të rinjve shqiptarë, të një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie evropiane", insistoi Berisha. Shefi i mazhorancës theksoi se "Shqipëria është sot kantier ndërtimi nga Konispoli në Valbonë. Nga Morina e Kukësit, në Qafë Plloçë, në Levan, në Vjosë e kudo". Sipas premtimit të Kryeministrit, Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. "Në këto vite janë firmosur me dhjetëra kontrata, të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. Ndaj dhe ne do të punojmë me përkushtim, do të bëjmë çdo gjë, për punësimin tuaj, derisa dhe një i ri i vetëm të ketë nevojë për punë në Shqipëri", u shpreh Berisha. Kryeministri shtoi se anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe pas pavarësisë së Shqipërisë.