E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Ish-pronarët të mos humbasin besimin

Republikanët vazhdojnë turin paraelektoral, duke prezantuar në Korçë kandidaten Myrvete Pazaj. Nën parullën "Sot NATO dhe nesër BE", kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bëri me dije se "kjo është një rrugë pa kthim prapa". Kryerepublikani premtoi mbështetje për kategorinë e ish-pronarëve, duke i bërë thirrje atyre të mos humbasin besimin te forca politike që ai përfaqëson. "Duke votuar Partinë Republikane, ju i jepni zë votës suaj, ne do të angazhohemi ta përfaqësojmë atë sa më denjësisht në Kuvend, ashtu si kemi bërë këto vite. Partia Republikane që në fillimet e saj ka qenë mbrojtëse dhe përfaqësuese e ish-pronarëve", u shpreh Mediu. Ai shtoi se që në themelimin e PR, kjo parti ka kërkuar kthimin e pronës pronarit dhe njohje të pronës private. "Pa Partinë Republikane, çështja e pronës nuk do të kishte arritur këtu ku është. Ne kemi përfaqësuar në Parlament, për legjislatura të tëra pronarët, duke ngritur zërin për kërkesat e tyre, sepse jemi të bindur se duke u kthyer prona tek i zoti, Shqipëria do të ketë zhvillim ekonomik dhe se zgjidhja e çështjes së pronës është elementi kyç për anëtarësimin në BE", tha Mediu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›