E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Rama, deformues i realitetit, bën ciu-ciu, se e ka zënë trishtimi”

07-02-2012 / Leonard Quku

Situata ekonomike - kryeministri thekson se në katër vite, ekonomia është rritur me 18 për qind. Deklarata: “Falimentimi i Fidelit, Edvinit i duket si falimentim i botës”

“Situata ekonomike” ishte kryefjala e kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kreu i ekzekutivit theksoi se ekonomia shqiptare ia doli jo vetëm t’i rezistojë efekteve të krizës botërore, por në 4 vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur 18 për qind rritje ekonomike dhe kjo e certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. “Ekonomia shqiptare, në raport me atë globale, është një ekonomi e vogël, por një ekonomi e cila, në mënyrën më të shkëlqyer ia doli t’i rezistojë krizës, gjatë këtyre viteve. Në qoftë se ju do të lexoni për krizën e katër viteve të fundit, do të gjeni se kjo është e vetmja ekonomi në Evropë që, në katër vitet e fundit të marra së bashku, ka pasur 18 për qind rritje ekonomike dhe kjo rritje ekonomike është e certifikuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, në katër vitet e marra së bashku, kjo ekonomi ka bërë të mundur që, në katër vjet, të dyfishohen rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, ndërkohë që në vendet e tjera shkurtimi i rrogave ka qenë, nga 25 në 40 për qind.
“Në Shqipëri rrogat janë rritur në katër vitet e fundit si në asnjë vend tjetër. Kjo ekonomi ka bërë që Shqipëria, në vitet 2006-2010, të rrisë investimet e huaja me 316 për qind, ka bërë që në 3 vitet e fundit të ketë  një mesatare prej 1 miliardë dollarë investime të huaja direkte. Këto shifra nuk janë as të qeverisë apo të ndonjë institucioni shqiptar, janë shifra të UNCTAD, i cili është edhe institucioni me mundësinë më absolute për të kontrolluar çdo qindarkë që realizohet në një vend nëpërmjet kontrollit të transaksioneve. Pra, kjo ekonomi është e vetmja ekonomi që krijoi edhe në kulmin e krizës vende të reja pune”, tha ai.
Ndërkaq, Berisha ironizoi dhe deklaratat e kryetarit të PS, Edi Rama në një rrjetin social Twitter, për situatën ekonomike në vend. Për kryeministrin Berisha, Rama është strukur pas cicërimave, ndërsa me qëndrimet e tij kundër zhvillimeve ekonomike po fakton se suksesi i ekonomisë e dëshpëron atë gjer në palcë.
“Unë e kuptoj atë zotërinë që bën ‘ciu- ciu’, ju e keni marrë vesh besoj se atij i kanë thënë që më mirë mos dil në media se të humbet vota, ndaj më mirë bëj ‘ciu- ciu’. Absolutisht, as edhe njerëzit më të afërt të partisë së tij nuk i binden, sepse ai ka një fantazi dhe e vuan shumë suksesin ekonomik të vendit. Suksesi ekonomik i vendit e trishton atë deri në palcë, e dëshpëron atë, sepse ai thotë janë 1 milionë të papunë. Është i vetmi që u tha shqiptarëve në vitin 2009 se qeveria po mashtron dhe nuk do t’i rrisë rrogat, ndërkohë që ne, rritjen  e rrogave e afruam kohë më para, vetëm për të mos e  lidhur këtë gjë me zgjedhjet. Por ai u thoshte shqiptarëve se nuk keni për t’i marrë kurrë ato para, në vitin 2009. Ndërsa në vitin 2010 e quajti  akt kriminal rritjen e rrogave dhe pensioneve, ndërkohë që ai ishte akti më human, më njerëzor, më i përgjegjshëm. Zotëria në atë kohë nuk bënte më ‘ciu ciu’, por dilte në konferenca shtypi, sepse i ndryshon mënyrat sipas këshilltarëve që merr. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve, këto janë realitetet të pamohueshme të ekonomisë shqiptare”, theksoi kryeministri Berisha.
Ai shtoi më tej se “kreu i opozitës nuk merret me realitetin për ekonominë, por me anë të fantazive të tij manipulon mediat”.
Sipas kryeministrit, Ramës i duket falimentimi i Fidelit si falimentim i botës. “Atij i falimenton Fideli dhe mendon se i falimentoi bota, jo Shqipëria, por bota. Ju e dini që bashkia e Tiranës kishte punonjës më shumë se të gjitha ministritë e marra së bashku. Prandaj, bashkia e Tiranës, në katër vite, ndonëse i 2 dhe 4 fishoi taksat mbi qytetarët e Tiranës, mbi bizneset, faktikisht asfaltoi gjithsej 12 km rrugica dhe la qytetin 2 vjet të bllokuar me projektin e qendrës. Edhe atë nuk e përfundonte dot. Sigurisht, kur e rrit numrin e punonjësve në 5200, ndërkohë që të gjitha ministritë të marra së bashku nuk kanë as 4 mijë punonjës, atëherë paratë i shndërron në sevape të partisë dhe i le qytetarët në infrastrukturën e botës së tretë. Ndaj dhe njëherë, dua t’ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike. Ne nuk themi që kjo është koha më e mirë. Jo!. Kjo është koha më e vështirë, pa diskutim. Por qeveria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka që kjo kohë të përballohet me vendosmërinë më të madhe dhe që projektet të vazhdojnë. Ky shoku që asfaltoi gjithsej 12 km rrugica në 4 vjet, harron që në këto katër vjet u ndërtuan dhe po ndërtohen mijëra e mijëra kilometra rrugë në mbarë vendin dhe ndër to, 2 kurorat e infrastrukturës shqiptare, rruga e Kombit dhe rruga e Elbasanit që po bëhet. Unë e përgëzoj atë sepse tani i lejon deputetët  e tij të udhëtojnë në këtë rrugë (rruga e Kombit), sepse nuk i lejonte. A e dini ju që rruga Murat Toptani u është ndaluar dhe nuk qarkullon asnjë deputet socialist aty? Ju mund të qeshni, por është absolutisht e vërtetë. Vet e la ashtu 2 vjet atë rrugë. Por rrugës së Kombit ia ka hequr traun dhe i lejon ata të kalojnë, sepse deputetët socialistë i binin nga Maqedonia për të shkuar në Kosovë. Ndërkohë po bëhet rruga e Elbasanit. Ju e mbani mend sesi na mbajtën në seancë deri në 5 të mëngjesit,  nga tmerri i tunelit. Tani e votuan vendimin për kredinë e fundit për këtë rrugë dhe i përgëzoj për këtë”, tha Berisha, ndërsa citoi disa tregues ekonomik, deklarata të vetë biznesmenëve mbi xhiron dhe shitjet e tyre.
Në bazë të këtyre të dhënave, qarkullimi në sektorin e prodhimit në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010 ishte 21.47 për qind më i madh; në ndërtim, ishte 7.4 për qind më i madh; tregtia ishte 17.85 për qind më shumë; shërbimet 56.17 për qind më shumë; transporti 8.74 për qind më shumë; dhe në total është 22.89 për qind më shumë. Eksportet në total kanë qenë 31 për qind më shumë.
Sipas kryeministrit, këto janë të gjitha të dhënat mbi xhiron dhe shitjet totale të kësaj ekonomie në vitin 2011, gjë që dëshmon për dinamizmin, për funksionimin e modelit, i cili pa diskutim ndikohet nga të gjitha zhvillimet përreth e më gjerë, sepse kjo nuk është një ekonomi e shkëputur nga ekonomia rajonale, evropiane, globale. “Por modeli i saj funksionon, është model i bazuar në lirinë ekonomike, i bazuar në taksa të ulëta, i bazuar në administratë të vogël”, tha shefi i ekzekutivit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›