E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista, PS: Janë 5186 shtetas të dubluar në disa qendra votimi

 

Partia Socialiste pas verifikimeve që i ka bërë listës përfundimtare të zgjedhësve ka zbuluar 5186 zgjedhës emri i të cilëve figuron më shumë se një herë në këto lista. Përmes një sistemi kompjuterik që kërkon në listën e zgjedhësve, rezulton se votuesit që dalin më shumë se një herë në këtë listë ndodhen në të gjithë vendin, duke përcaktuar saktë identitetet e tyre, numrin e banesës dhe qendrën e votimit ku ata votojnë. Socialistët po përpunojnë të gjithë materialet e infrastrukturës zgjedhore për të përcaktuar qëndrimin e tyre në lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas socialistëve, ky verifikim tregon defektet e sistemit, edhe pse qeveria ka deklaruar se listat rezultojnë pa asnjë dublikim. Partia Socialiste i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme në komisionin parlamentar ad hoc listën paraprake të zgjedhësve e më pas dhe listën përfundimtare të zgjedhësve për të verifikuar pastrimet nga dublimet që i është bërë kësaj liste. Socialistët kanë shprehur kontestime për qëndrimin e Ministrisë së Brendshme në lidhje me listat e kërkuar kryesisht në lidhje me kartat e identitetit. Ende nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të Partisë Socialiste, në lidhje me problematikën e listave zgjedhore, pajisjen e shtetasve me karta identiteti dhe mundësinë e përjashtimit të shumë shtetasve nga votimit për defekte të sistemit apo pamundësisë së tyre për të pasur një mjet identifikimi në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›