E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama ide arkaike, mendon se 5% e shqiptarëve do mbajnë në supe Shqipërinë

TIRANE- Kryeministri Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme një bashkëbisedim me sipërmarrës në Kombinat. Projektet e reja të qeverisë, investimet në biznes por edhe hapja e vendeve të reja të punës ishin temat për të cilat u bashkëbisedua në këtë takim.

Përpara këtyre sipërmarrësve kreu i qeverisë sulmoi taksën e sheshtë dhe idenë e kryesocialistit Rama për uljen e taksave për 95% të shqiptarëve. Sipas tij, të mendosh që 5% e shqiptarëve do mbajnë në supe Shqipërinë është një ide arkaike.

“Qëllimi ynë më madhor është punësimi dhe e dyta rritja e rrogave dhe pensioneve. Dy modele po përballen, ai i taksës së ulët me atë të lartë, progresive. Kjo progresive do të thotë para më pak për investitorin, kompaninë, do të thotë pamundësi për rritje pagash dhe rritje vendesh pune. Përpjekja për të rritur taksat rrënon ekonominë shqiptare. Të mendosh që 5% e shqiptarëve do mbajnë Shqipërinë mbi supe është ide arkaike”, tha Berisha.

Pyetje 1- Një nga shqetësimet që kam unë dhe biznesi im është se çfarë planesh do ndjekë qeveria juaj për fasonistët që filluan biznesin si fasonistë dhe kthehen në prodhues? A do kemi ato mundësi që kemi pasur?
Berisha: Ne jemi të gatshëm të marrim përsipër trajnimin e punëtorëve tuaj. Cdo i ri që punësohet nga ju 3 vjet nuk do paguajë taksa. Këto janë zotimet tona për ju.

Pyetje 2- Doja t’ju përcjellja një shqetësim të partnerëve italianë. Ata janë të shqetësuar për deklaratat e opozitës...
Berisha: Absolutisht është e mundshme sepse nëse këta vijnë tek ne, një nga arsyet është taksa e ulët po të jetë puna për taksë të lartë ata shkojnë diku tjetër. Kjo nuk është vetëm ndaj investimeve në industrinë fasone, kjo ndodh ndaj të gjithëve shkon në Patos, kompanisë që dorëzon 200 milionë taksa në vit thotë se këta kusarë do i përzëmë, ose koncesionet do i heq. Kjo është një politikë pa vizion, nuk ka të ardhme, ai thotë të dëmtoj sa të mundem. Nuk do ndodhë, ne taksat i kemi ulur, kjo nuk është paketa përfundimtare. Ne do synojmë paketë tjetër, besojmë tek liria ekonomike. Nuk ka asgjë më mirë se sa punësimi i qytetarëve kjo është arritja më e madhe e tregut.

Pyetje 3- Kam një zyrë kontabiliteti dhe mbaj shumë firma, tani dua të pyes për bizneset taksat do të ulen? Me politikat lehtësuese fiskale do mundim të thithim partnerë të huaj?
Berisha: Si forcë politike ne kemi në filozofi taksën e ulët. Kjo është rruga më e shpejtë e zhvillimit. Në këtë kontekst hoqëm taksat mbi makineritë, hoqëm 12% për materialet e importit. Pra është një paketë e tërë ulje dhe heqje taksash. Pas zbatimit të saj ne presim të kemi direkt jo më pak se 200 milionë euro minus në buxhet, këto i mbeten biznesit. Ne pastaj do shohim për paketë tjetër, i qendrojmë uljes së mëtejshme të taksave, jo si zotëria i taksës progresive.
Më frikëson mënyra e taksave të Ramës...
Berisha: Shumë e vërtetë ajo që thua ti. Pas vendosjes së taksës së sheshtë numri i bizneseve të vogla dhe të mëdha u rrit me 200 dhe 300%, pasi biznesit iu rrit fitimi dhe investuan për zgjerim, kështu u rritën dhe të ardhurat e buxhetit. Barra shpërndahej, duke luftuar evazionin pati dhe rritje të biznesit. Cfarë bëmë ne? Rritje rrogash, ndërtim rrugësh. Rruga e rikthen investimin 5 fish, kryesisht nëpërmjet vlerësimit të tokës. Të gjitha këto bënë të mundur që jo vetëm nuk pati rënie të ardhurash por pati rritje të tyre. Nëse të ardhurat do mbeteshin të njëjta shoqëria është përsëri e fituar pasi të ardhurat konvertohen në vende pune. Tani bizneset do kenë 20% para më shumë dhe besoj që rezultati do jetë pozitiv.

Pyetje 4- Burri ka punuar tek Gjykata e Lartë për 17 vjet dhe tani ka dalë në pension. Për një vit ka marrë 480 mijë lekë të vjetra, ndërsa 20 vite ka punuar tek Fabrika e Leshit aty nuk i ka dalë ende pensioni. Unë jetoj në një korridor, ndërsa në dhomë dhe kuzhinë janë vënë pajisjet e elektrikut, i ka vënë shteti. E kam me tapi dhe të gjitha, jam në katin eparë. Mi ka parë edhe Bujar Nishani po ende nuk është bërë gjë për mua.
Berisha: Për pensionin ka një ligj mbi të cilin llogaritet pensioni, unë do ju ndihmoj nëse është bërë ndonjë llogari gabim, por ndryshim të ligjit nuk mund të bëhet. Nëse ka punuar edhe në Fabrikën e Leshit duhen vërtetuar vitet e punës. Përsa i përket kabinës elektrike, nëse s’të paguajnë qera do hiqet me shpejtësi nga shtëpia jote. Kjo është absurde.

Pyetje 5- Ndër kolegët që punojnë në administratë ka shumë që kanë mbaruar universitete private, kam dëgjuar nga opozita që nuk do ti njohë diplomat dhe masterat.
Berisha: Zgjidhja është akreditimi, do të njihen të gjitha universitetet e akredituara. Ne po shkojmë drejt qartësimit përfundimtar, akreditimi. Opozita po sulmon universitetet publike dhe private, publiket i konsideron kombinate të fabrikimit të diplomave ndërsa privatet fabrika të fabrikimit të diplomave. Ëndrra universitare e cdo të riu është një burim frymëzimi, por ti themi që ti nuk hyn kjo është e padrejtë. Padiskutim që ka probleme cilësie, por kjo nuk zgjidhet duke mbyllur dyert. Ne do bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë. Por ti quash universitetet piramida është shumë e pandershme. Kjo nuk mund të përgjithësohet. 
Pyetje 6- Interesi im është të di që nëse pas 23 qershorit do vazhdojë i njëjti fluks pune. Plani juaj për fasonët?
Berisha: Ne do kemi mbështetje gjithnjë e më të fuqishme, gjithçka për t’ju ofruar lehtësira gjithnjë e më të mëdha. Kjo industri ka dy tipare shumë të rëndësishme, se pari është prodhim, kriza dëshmoi se ekonomitë e bazuara mbi shërbimet bien dhe kanë probleme serioze po iu dobësua prodhimi. Së dyti ky është sektori që punëson më shumë. Për ne është sektori që do mbështesim më shumë.
Pyetje 7- Jemi shumë banorë të ardhur këtu në Kombinat, jemi drejt procesit të legalizimt, sa na mbështet ti dhe qeveria?
Berisha: Plotësisht. Ne i bëmë vendimet, tani janë përfshirë që të gjithë keni mbështetjen e plotë për privatizimet, askush nuk ka mbetur jashtë këtij kuadri.
Pyetje 8- Në lidhje me punësimin e të rinjve për ata që guxojnë e hapin biznese. A kanë mundësi këta të rinj të kenë mundësi të provojnë nëse iu ecën apo nuk ju ecën biznesi. Nuk e di çfarë politikash mund të ndiqen në këtë rast?
Berisha: Nevoja e parë e tyre është të kenë një ndihmë, këshillë më e qartë për një plan biznesi, konsulencë. Në universitete kanë filluar të funksionojnë zyrat e karrierës, konsulencës për punësim. Për të rinjtë me profesione ne do aplikojmë sistemin e kredive të buta.
Pyetje 9- Jam një tregtar kam biznes distribucioni, kam të punësuar 20 vetë. Kam qenë në Kanada dhe atje nuk mu dha kjo mundësi. Me këto taksa a do vazhdojë praktika e rimbursimit brenda muajit si ka filluar kohët e fundit? Kam njohje në Kanada dhe duan të investojnë këtu nëse politika e taksave vazhdon kështu.
Berisha: Qëllimi ynë është që rimbursimi i TVSH të jetë i menjëhershëm. Por a ka shteti mundësi, po ka. Nuk ka vështirësi, burokracia e vështirëson. Regjimi i taksave jo vetëm që s’do ndryshojë por do vijojë drejt përmirësimit. Ne qendrojmë në këtë linjë sepse me fakte e shifra, me të ardhura ne faktojmë se kjo politikë nuk ka sjellë rënie por rritje të qartë të të ardhurave. Ne do ulim taksat që të vijnë sa më shumë investitorë dhe hapje të vendeve të reja të punës.
Pyetje 10- Kam filluar aktivitetin në 2005 falë lehtësirave kam tani 500 punonjës, por shqetësimi që kam si fason kam shumë miq që punojnë me ne dhe pyesin pasi dëgjojnë shumë gjëra negative nga opozita. Cfarë përgjigje t’ju kthej?
Berisha: Mund t’ju thuash se do të ketë lehtësira të reja, më shumë lehtësira të mëdha logjistike. Janë dy kompani që po ndërtojnë parqe logjistike, qeveria vetë mund të ndërtojë kapacitete logjistike për tu ofruar investitorëve me një euro apo kushte të tjera të favorshme për ta. Qeveria në këto parqe logjistike do përpiqet të krijojë infrastrukturën më moderne.

vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›