KiE: Reflektoni për të zgjidhur ngërçin në KQZ, kthejuni besimin votuesve
Tiranë- Komiteti i Vëzhguesve i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e ka cilësuar si të qetë situatën parazgjedhore në Shqipëri, ndërsa ka bërë thirrje që të zgjidhet ngërçi i krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ky insitucion ka publikuar të dhënat e marra nga vëzhgimet e kryera gjatë këtyre ditëve, ku kërkohet që të zhvillohen zgjedhje sipas standardeve evropiane.
Na duhet të shikojmë zhvillimet e situatës zgjedhore në vijim, ne e kemi shprehur shqetësimin tonë për situatën në KQZ. Ne kemi diskutuar me partitë politike për këtë ngërç dhe mundësinë për tu kthyer besimin qytetarëve tek zgjedhjet dhe ky institucion. Vlerësimi ynë do vijë pas zgjedhjeve. Shpresoj që forcat politike të gjejnë një pikë reflektimi për ti dhënë zgjidhje këtij ngërçi… Çështja e KQZ është shumë e komplikuar, unë nuk doja të komentoja për momentin. Ajo mbetet e hapur dhe për tu komentuar pas zgjedhjeve. Ne jemi këtu për ti inkurajuar drejtuesit e forcave politike për pasjen e një administrate zgjedhore që të japë rezultate të besueshme për zgjedhjet. Ne nuk jemi këtu për të caktuar përgjegjësit, por për dhënien e zgjidhjeve të mundshme të problemit. Ne jemi të mendimit që partitë politike, klasa politike, ka treguar në të shkuarën se ka gjetur zgjidhjen e duhur, si në rastin e miratimit të tre ligjeve,- tha kryesuesi i delegacionit, Luca Volonte.
Më tej ai ka thënë se vëzhgimet do të nisin sërish tre ditë para zgjedhjeve dhe një ditë pas tyre, ku më pas do të dilet në një konkluzion të përgjithshëm dhe përfundimtar për zhvillimin e tyre.
“Ne vërejmë se drejtuesit e forcave politike këtë radhë janë përqëndruar në programet e tyre politike, që nuk ka qënë kështu më parë dhe as në vende të tjera. Kjo është një gjë shumë e mirë e këtij procesi. Komenti tjetër politik lidhet me konstatimet tona se zgjehdjet në Shqipëri deri tani kanë qënë të paqta dhe të qeta. Ne shpresojmë që këto do jenë në vazhdimësi. Ato pak incidente janë raste sporadike që nuk kanë ndonjë problem shumë të madh”,- vijoi ai.
KQZ, Berisha: Të rikthehen anëtarët e larguar ose të votojmë të rinj
Ndërkohë më herët ata zhvilluan një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani dhe kryeministrin Sali Berisha. Në takimin me këtë të fundit parlamentarët e Këshillit të Europës vlerësuan atmosferën e qetë politike dhe të civilizuar në të cilën po zhvillohet fushata elektorale, ku partitë politike po shpalosin pikëpamjet e tyre dhe aspektet e programit të tyre në shërbim të qytetarëve për mandatin e ardhshëm qeverisës, dhe nivelit të lartë të transparencës mediatike të përgjithshme në të cilat po zhvillohet kjo garë elektorale.
Vetë Berisha ka deklaruar se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë dhe do të jenë, zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, ai i njohu parlamentarët e me urdhrin, i cili ndalon përdorimin e mjeteve dhe burimeve publike për qëllime elektorale qëllimi i të cilit është krijimi i kushteve të barabarta në fushatë për të gjithë konkurrentët.
Përsa i përket situatës në KQZ, kryeministri u shpreh se në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë për të ushtruar funksionet e tyre në përputhje të plotë më Kushtetutën dhe kuadrin ligjor që rregullon zgjedhjet në Shqipëri, i cili është miratuar me konsensus të plotë duke implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe i bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës shqiptare. Si alternativë, kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t’i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia themelore e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit nga të gjitha palët.