E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, ideator i provokacioneve



PD-PS, debat në Kuvend për incidentin e së hënës

Perëndon koha e paqes mes dy partive

Kryeministri Sali Berisha që nga foltorja e Kuvendit i ka dërguar dje një mesazh të qartë rivalit të tij politik, Edi Rama, lidhur me incidentin në Kuvend. I ndodhur përballë akuzave të opozitës për incidentin e seancës së ditës së hënë në Kuvend, ai i ka kërkuar Edi Ramës që të lërë mesazhet e turpshme dhe letrat e hapura, si dhe t’u japë fund provokacioneve. Ndërsa po fliste për buxhetin shtesë, shefi i ekzekutivit e ka konsideruar liderin socialist kryekëput fajtor të ngjarjes së ndodhur mes tij dhe deputetit Balla, duke e cilësuar ideator të këtyre skenave, ndërsa Ballën si provokatorin e Ramës. Ky sulm ka shënuar dhe rinisjen e luftës politike mes dy kundërshtarëve pas një bashkëpunimi parlamentar mes dy partive. “Po i them Edi Ramës këtu nga kjo sallë: Lëri mesazhet e turpshme dhe letrat e hapura se unë kam 20 vjet në politikë. Dhe i bindur të jetë ai se mund të shërbehet me dy mercenarë, por asgjë, asgjë nuk ia atribuoj askujt, përveç atij”, - tha kreu i qeverisë, Sali Berisha. Duke përmendur vitet që mban mbi shpatulla si politikan, kreu i qeverisë vuri në dukje se ata që provokojnë janë lloji më i ulët dhe nuk duhet të shpërblehet kurrë. “Mos mendoni ju kurrë se unë shpërblej, unë nuk shpërblej provokatorë. Hiqeni nga mendja. Provokatori përbën më të ndyrën e të gjitha specieve. Ai që merr përsipër të provokojë dhe e di që ka një rrethanë që nuk ka të bëjë, ai përbën një fëlliqësirë të vërtetë njerëzore. Dhe jua them këtu, provokacioni nuk shpërblehet kurrë, kurrë nuk shpërblehet”.

Pas këtyre deklaratave, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga socialistët. Numri dy i deputetëve në sallën e Parlamentit, deputeti Erion Braçe, i bëri thirrje Berishës që në vend të deklaratave akuzuese, t’i kërkojë falje deputetit Balla për fyerjet e rënda. Para se Kryeministri të jepte një përgjigje ndaj akuzave të ditëve të fundit nga opozita, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, akuzoi Edi Ramën si avokat mbrojtës të provokacioneve si ato të ditës së hënë. Ai u vuri në dukje deputetëve socialistë kryetari i PS-së ka një kompleks, atë që nuk është pjesë e Parlamentit. E sipas Patozit, kjo gjë bën që ai ta shtyjë grupin drejt rrugëve provokative. “Unë e kam vështirë që ta besoj këtë version, për sa kohë që shikoj se kryetari i Partisë Socialiste apo lideri i opozitës bëhet avokati më i madh i një provokacioni të ulët dhe e kam shumë të lehtë atë që shumë kolegë të Partisë Socialiste e thonë nëpër tavolina se ai ka kompleksin e të mos qenit në Parlament dhe ky kompleks sigurisht që e shtyn ta drejtojë grupin e tij parlamentar me devizën “një gjellë që s’është për mua, i raftë miu brenda”. Unë do t’ju thoja miqësisht që ju të mos bëheni vegël apo pre e këtij drejtimi absurd”, - tha Patozi. Kreu i grupit parlamentar vuri në dukje se mazhoranca ka treguar respekt për opozitën edhe në momente ku shumë prej deputetëve kanë shkatërruar podiumin, kanë sharrë e fyer e kanë zvarritur punën e Kuvendit etj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›