Autoriteti i Konkurrencës, “ok” rasti Mars Incorporated /Wm Wrigley Jr. Company))
Në datën 5 maj 2008, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e përqendrimit të propozuar në përputhje me nenin 10, pika 1, shkronja a të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me objekt bashkimin e shoqërisë Wrigley Jr. Company, me seli në shtetin Delaware, SHBA dhe shoqërisë Mars Incorporated, me seli në shtetin Virginia, SHBA. Ky transaksion, sipas marrëveshjes dhe planit të bashkimit është nënshkruar nga palët pjesëmarrëse më datë 28 prill 2008. Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse: Për Wm Wrigley Jr. Company, prodhimi i çamçak[izave dhe konfeksioneve të sheqerit. Për Mars Incorporated, prodhimi i produkteve ushqimore (si p.sh. salcat, orizi), ushqim për kafshët shtëpiake (të markave Whiskas, Pedigree) çokollata, akullore, (të markave Snickers, Dove, Mars, Bounty) prodhime sheqeri (Skittels, Starbuck etj) dhe pije. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, Autoriteti gjeti që transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit. Palët pjesëmarrëse janë të pranishme në mënyrë të tërthortë në tregun e brendshëm, nëpërmjet tregtimit të markave të produkteve të tyre. Në zbatim të nenit 2, pika 1, shkronja a e ligjit, përqendrimi i njoftuar do t’i nënshtrohet procedurës së kontrollit të përqendrimeve të përcaktuar në nenin 56 të ligjit dhe në rregulloren “Për Zbatimin e Procedurave të Përqendrimit të Ndërmarrjeve”.
Autoriteti fton palët e treta për të shprehur opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet duhet të paraqiten jo më vonë se 15 ditë nga publikimi i këtij njoftimi.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me faks (nr. 0355 4 234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashri”, nr. 4 Tiranë; apo me e-mail në adresën perqendrime@caa.go.al.