E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti shtesë i qeverisë merr “ok” në Kuvend



Kryeministri: Dëshmi e shembjes së kleptokracisë

Opozita voton kundër, PDK-ja nuk merr pjesë në votim

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 72 vota pro, 18 kundër të opozitës, si dhe 3 abstenime të deputetëve të grupit të qendrës buxhetin shtesë të paraqitur nga qeveria për vitin 2008. Partia Demokristiane mungoi dje në votimin e buxhetit si një mënyrë për të shprehur pakënaqësinë ndaj ndryshimeve në qeveri, duke shënuar ulje të votave në favor të mazhorancës për buxhetin shtesë. Durim Hushi, Durim Lamaj si dhe Bukurosh Stafa abstenuan si deputetë mbështetës të ish-Kryeministrit Nano, ndërsa ulje të votave pro saj shënoi edhe opozita, pasi grupi parlamentar i PSD-së nuk mori pjesë fare në seancë.

I pranishëm në sallë gjatë diskutimit të buxhetit shtesë, Kryeministri Berisha ftoi opozitën që të jepte votën pro, duke cilësuar se projektbuxheti është dëshmia më e qartë e shembjes së korrupsionit. “Drafti që ne sjellim në Parlament është dëshmia më e ndritur, më e shkëlqyer e shembjes së kolapsit përfundimtar të sistemit të kleptokracisë, që ishte instaluar në Shqipëri. Nuk them çrrënjosjen e korrupsionit, por shembjen e sistemit, i cili ishte bazuar tërësisht në vjedhjen e taksave dhe tatimeve, të të ardhurave të qytetarëve shqiptarë”, - tha Kryeministri. Duke iu drejtuar deputetëve me argumente dhe fakte, Kryeministri theksoi se “të ardhurat tatimore nga administrata e kësaj qeverie u rritën nga 204 miliardë dollarë në vitin 2005, në 303.7 miliardë dollarë në vitin 2008”. "Para shqiptarëve unë nuk lejoj të krahasohem vetëm me periudhën e kulmit të kleptokracisë, por do të krahasohem me vitet e kësaj qeverie, - ka nënvizuar më tej kreu i qeverisë, duke shtuar se “të ardhurat buxhetore nga viti 2007, të cilat ishin 251 miliardë lekë, arrijnë në 303 miliardë në vitin 2008, me një rritje për harkun kohor njëvjeçar”. Ndërkohë, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Arben Malaj tha se duhet të rishikohen politikat sociale për të varfrit, pasi buxheti shtesë braktis shtresat në nevojë. Malaj vuri në dukje gjithashtu se projektbuxheti shtesë trajton në mënyrë diskriminuese biznesin e vendit duke rritur riskun mbi kompanitë vendase, riskun mbi cilësinë dhe kohën e investimeve dhe duke nxitur një zinxhir negativ në ekonominë shqiptare. Pas miratimit në parim, seancën e ditës së hënë, deputetët dje morën sërish në shqyrtim buxhetin shtesë duke e diskutuar dhe miratuar atë nen për nen. Ashtu siç kishte deklaruar paraprakisht, opozita u shpreh kundër këtij buxheti duke ia lënë vetëm mazhorancës miratimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›