E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Parlamentit i mungon demokracia

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se Kuvendit i mungon demokracia. Referuar gjithmonë ngjarjes së pak ditëve më parë në Kuvend, kreu i LSI-së cilësoi se Parlamenti i Shqipërisë nuk po funksionon aspak si parlament demokratik, që duhet të respektojë në radhë të parë rregulloren e tij. “Janë të panumërta interpelancat, ku Kryeministri nuk denjon të vijë dhe të përgjigjet para Parlamentit. Ka gati tre vjet që Kryeministri nuk raporton asnjëherë, edhe pse e ka detyrim me një ligj të vitit 2004, të raportojë para Parlamentit për ecurinë e procesit të integrimit evropian. Njëkohësisht, unë nuk e kuptoj se përse duhet të dilte aq shumë nga kontrolli Kryeministri Berisha, pasi mendoj se ato çfarë tha z.Balla, pavarësisht se është e drejta e tij që të gjejë mënyrën se si të shprehet, nuk janë asgjë përpara atyre që ka thënë z. Berisha, jo vetëm për zonjat që janë anëtare në këtë Parlament, por edhe për të afërmit dhe familjarët e shumë drejtuesve të së majtës, të qeverisë së mëparshme dhe kështu me radhë”, - tha Meta. Më tej, sipas tij, nuk është normal që ky parlament nuk do të krijojë një komision hetimor parlamentar për Gërdecin. “Kjo është akuza më e madhe për këtë parlament. Në SHBA është ngritur një komision hetimor për këtë çështje dhe atje asnjë amerikan nuk është vrarë. Ndërsa tek ne, ku janë vrarë 30 njerëz dhe këtu ende jashtë çdo procedure parlamentare nuk merret parasysh një kërkesë e firmosur nga deputetët e këtij parlamenti, për të hetuar tregtinë e municioneve”, - deklaroi kreu i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›