Leskaj: Jam ndier keq kur Braçe shante Topallin
Në momentin kur opozita po mundohej që të tregonte se sa diskriminuese ishte mazhoranca kundrejt opozitës, kryetarja e grupit parlamentar socialist, pranoi se deputeti Erion Braçe ka fyer dhe sharë Kryetaren e Kuvendit. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh se është ndier keq kur deputeti socialist, Erion Braçe, thoshte ndonjë fjalë fyese ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “E them pa komplekse se jam ndier keq kur deputeti Braçe thoshte ndonjë fjalë për Topallin dhe më vjen keq që në këtë situatë është dhe një grua që drejton Parlamentin. Por sot e kuptoj se zoti Braçe është vënë në pozitë të vështirë, pasi zonja Topalli drejton me dy standarde", - tha Leskaj. Referuar ngjarjes që ka ndodhur gjatë seancës së kaluar plenare, ku u përjashtua për 15 ditë deputeti socialist Taulant Balla, Leskaj vuri në dukje se është shumë e rëndë dhe nuk mund të kalohet me kaq lehtësi. Marrja e shembullit të Braçes nga ana e Leksajt nuk është pritur mirë nga deputetët e opozitës.