E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, jo kryetar. Spiropali: PS s'është në shitje

Fitorja e PD-së në komunën Ballagat, shoqërohet me replika mes dy partive


TIRANË - Edhe pse po qëndron në jug për disa ditë pushim, Kryeministri Berisha nuk nguron të presë çdo shirit inaugurimesh që i del përpara.


Dje, gjatë inaugurimit të ujësjellësit të Gjilekës në Dhërmi, Kryeministri Berisha ka atakuar sërish kryetarin e PS-së, Edi Rama, pas fitores së kandidatit të PD-së, Shërbet Sharka, në komunën Ballagat, të Qarkut të Fierit.


"I garantoj zgjedhësit e Ballagatit se vota e tyre do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. I falënderoj ata për mësimin e shkëlqyer, që i dhanë Edi Ramës, i cili në arrogancën e tij, në fodullëkun e tij, e ka të vështirë të nxjerrë mësime.


Në asamblenë e tij, të cilën e mblodhi megjithëse është mandat humbur, deklaroi se nuk do të njihte zgjedhjet. Unë dua t'i them zotit Rama, këtu nga Dhërmiu, këto fjalë: Në qoftë se ti nuk njeh popullin tënd, kujdes se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare.


Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti, janë limonada të përkohshme, që thartohen në verën e parë dhe kështu u thartove edhe ti",- tha Berisha. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PS-së. "Zgjedhjet e vjedhura nuk legalizohen, sepse populli nuk jeton për të mbajtur në kurriz një oborr të korruptuarish, që duan të korruptojnë çdo gjë dhe të mbretërojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur.


Partia Socialiste nuk është në ankand dhe Sali Berisha nuk do mundë kurrë ta blejë opozitën reale dhe as të vendosë kryetarin e PS-së. Ne nuk e pranojmë rezultatin e zgjedhjeve dhe do të bëjmë gjithçka për t'i dhënë popullit përfaqësimin e merituar në të gjitha rrugët demokratike në këtë betejë mes dy botësh. Fitorja e Saliut do të jetë disfata e tij",- tha Elisa Spiropali.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›