Universitetet, shpallen emrat e 936 fituesve të rinj
Shpallen emrat e 936 fituesve të rinj në shkollat e larta. Sipas udhëzimit të ministrisë së Arsimit maturantët do të kenë 3 ditë kohë për tu regjistruar duke nisur nga sot. Për të kryer këtë procedurë ata duhet të dorëzojnë pranë sekretarive të fakulteteve dosjen personale. Ajo duhet të përmbajë, dëftesën e pjekurisë ,dokument identifikimi, (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. ”Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi”, thuhet në udhëzim. Gjithashtu duhen 2 fotografi dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. “Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, Institucionet Publike të Arsimit të Lartë të dorëzojnë në MASH dhe në APRIAL listat përfundimtare origjinale në formë elektronike, të përgatitura nga APRIAL me regjistrimet përfundimtare në vitin e parë të studentëve të ciklit të parë me kohë të plotë për vitin akademik 2009 - 2010, brenda datës 10.12.2009”, saktëson udhëzimi. Me këtë fazë përmbyllet procesi i pranimeve në shkollat e larta publike. “Sekretaria mësimore të pajisë kandidatin me fletë-regjistrimi ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi duhet të jetë i nënshkruar dhe i vulosur nga titullari i Institucionit Publik të Arsimit të Lartë/njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor”, nënvizohet në udhëzim.
LISTEN E PLOTE, MUND TA LEXONI NE FORMATIN PDF