Berisha: Kërkesa e PS-së e bazuar në dyshime e jo në fakte
Kryeministri Berisha e cilësoi projektvendimin e PS-së për komisionin hetimor të zgjedhjeve si të bazuar në dyshime dhe jo në fakte dhe prova konkrete.
Duke iu folur në mbledhjen e grupit të PD-së kryeministri Berisha theksoi se projektrezoluta e PS-së ngre hetimin mbi dyshimet gjë që sipas tij është kundër Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
“N.q.se ti pretendon të ndërmarrësh hetim mbi dyshime pa fakte atëherë ti tregon se boshti i mendjes tënde është dyshimi dhe kjo përbën një sëmundje psiqike” theksoi Berisha duke shtuar se dyshimet pa fakte ngrejnë shpifjen dhe trillimin.
Gjithashtu duke iu referuar mbledhjes së sotme të komisionit të ligjeve ku opozita braktisi mbledhjen kryeministri Berisha theksoi se ky akt i opozitës vjen si rezultat i hetimeve që u bënë në Shkodër ku zgjedhjet rezultuan brenda standarteve.
“Sot Rama largoi në mënyrë ultimative deputetët nga komisioni i ligjeve sespe nuk kishin asnjë argument për të mbrojtur opsesionin e tij politik” theksoi Berisha duke shtuar se prokuroria nxorri në dritën e diellit të vërtetën për zgjedhjet e 28 qershorit.
Ai gjithashtu theksoi se nëse Partia Socialiste e riformulon projektvendimin atëherë mazhoranca që nesër do të jetë e gatshme ta miratojë atë me unanimitet.
Përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave, Berisha theksoi se qeveria do të marrë të gjitha masat që të shmangen abuzimet me këtë të drejtë të re të madhe që fituan shqiptarët.
“Kjo ka qenë kartolina më miqësore që Europa i ka dërguar Shqipërisë në tërë historinë e saj”, përfundoi Berisha duke shtuar se do të vijojë fushata e informimit të qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave.