Berisha: Rama, kryesuesi i mafies më të rrezikshme në Tiranë

Kryeministri Sali Berisha ka ripërsëritur sot gjatë një konference për shtyp nga Kryeministria, lidhjet mafioze të kryesocialistit dhe njëherazi kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Kreu i qeverisë paralajmëroi se nuk do të heshtë kurrë para akteve të papranueshme dhe njëherazi të dënueshme të Edi Ramës. Berisha theksoi se denoncimi i bërë pak ditë më parë në parlament është në mbrojtje të vlerave të shqiptarëve.
“Kam bërë detyrën time në mbrojtje të nënave, bashkëshorteve dhe motrave shqiptare kundër dhunës në familje”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit përsëriti edhe një herë, se dakljet nudo të Ramës në plazhet publike nuk janë gjeste normale. “Asnjë anëtar i Partisë Socialiste nuk i pranon këto akte të shëmtuara të tij”, tha më tej ai.
Berisha e cilësoi Edi Ramën si përgjegjësin kryesor që po bllokon opozitën dhe futjen e saj në parlament. Sipas kryeministrit, Rama duke parashikuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme, tentoi edhe mospjesëmarrjen e PS në to. “Edi Rama ka bërë përpjekjet më të jashtëzakoshme për të mos hyrë në zgjedhjet e 28 Qershorit. Unë u jam shumë mirënjohës qeverive të vendeve mike për presionin që u bënë në kohën e duhur”, tha kryeministri.
Më tej, Berisha u shpreh edhe njëherë se Rama mbart lidhje të rrezikshme me grupet mafioze në kryeqytet. “Edi Rama kryeson mafien më të rrezikshme në kryeqytet. Kryeministri Sali Berisha gjithashtu ka akuzuar kreun e PS, Edi Rama se është kryemafiozi i kryeqytetit. Ai është shefi i lavatriçeve të parave të pista, ndërkohe që ka lidhje me bandat kriminale. Vetëm Mafies nuk i intereson anetarësimi në BE, vetëm Mafia nuk do bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndaj darët e ligjit do të bien në dhëmbët e mafiozëve. Mafia ka vetëm interesa personale”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Gjithashtu, kryeministri iu referua edhe djegies së afateve kushtetuese të deputetëve socialistë, për mos prezencën e tyre në parlament. Sipas kryeministrit, kjo nuk përbën asnjë problem, pasi me përfundimin e afateve, në bazë të ligjit në kuvend do të hyjnë emra të rinj. “Në përfundim të afatit 6 mujor nga mungesa e deputetëve të PS, sipas ligjit emra të rinj do hyjnë në Kuvend. Kushtetuta dhe ligji do të zbatohen, deputetët do të zëvëndësohen. Janë të mirëpritur të zgjidhen ata që e meritojnë. Rama po mban jashtë 64 deputetë”, nënvizoi kryeministri.
Lidhur me ftesat për bashkëpunim me opozitën, kryeministri u tregua i gatshëm për çfarë do lloj bashkëpunimi në të mirë të vendit dhe aspiratave integruese.
Shefi i qeverisë bëri këtë dalje para mediave, për të lajmëruar shtyrjen e Kongresit të Partisë Demokratike për në 14 dhjetor. Sipas Berishës shtyrja bëhet për një qëllim konkret që është ai i vizitës në Vatikan që do të bëjë kryeministri i Shqipërisë ku do të takojë Papa Benediktin e XVI.