Namuzlliku i çjerrjes së faqeve
Është tjetër tradhtia bashkëshortore e burrit ndaj gruas; por edhe e gruas ndaj burrit. Por është një gjë tjetër, tepër e rëndë, keqpërdorimi i gruas, si një krijesë më delikate, më e brishtë se bashkëshorti i saj.
Vendi ynë kaloi nga njëri ekstrem në skajin tjetër, me shporrjen e diktaturës komuniste. Shkaku qëndron në atë se nuk u morën seriozisht traditat e popullit tonë. Natyrisht duhej kaluar në një stad tjetër në konceptim, duke kapërcyer édhe disa zakone të rrënjosura, të cilat duheshin tejkaluar. Por këto ndryshime në psiken e njeriut shqiptar duheshin bërë me kujdes, duke dhënë ndihmesën e drejtpeshuar, veçanërisht, organet e shumta të shtypit gjatë pluralizmit, si edhe mediet përgjithësisht. Nuk mund të lihej pas dore ajo veçantí që do të duhej të sugjeronte demokracia jonë e re dhe e brishtë: evolucionin mendor. Për fat të keq, më të paduruarit u treguan “të emancipuarit” e të privilegjuarve të kohës së dikurshme, që dilnin jashtë shtetit me kollajllëk. Disa prej tyre ishin mitomanë. E shumë të tjerë, me botëkuptim revolucionar, të mbrujtur nga koha e tyre. Nuk përjashtohen edhe mentorë të synimeve për të krijuar kushte të veçanta përfituese, në detyrën e forcimit të pozitave të majtizmit të skajshëm shqiptar, në ballafaqimet ndërpartiake. Këtë do të orvatemi të shpjegojmë, në vijim të këtij shkrimi.
* * *
Pas mbylljes së Murit berlinez në vendin tonë, është e vështirë që të mendohet se populli ynë, në përgjithësi, i gëlltiste lehtësisht disa çështje si martesat e së njëjtës gjini, daljen hapur të gej-ve, apo pederastinë si dukuri sfiduese. Natyrisht që, në kushtet e reja, shfaqje të tilla nuk mund të vihen nën një peshë të çfardoshme diskriminimi. Por ne e kemi fjalën në prirjet e mjaft personave të cilët, në emër të një risie që na qenka demokracia liberale, këto dukuri të fryhen, pak a shumë, si shfaqje të demokracisë “të një shkalle më të lartë”. Dhe kjo është shkruar në shumë shkrime të literaturës sonë politiko-sociale. Të gjitha këto, - duke dashur të dalin në pah si kaporionë revolucionarë të ndryshimeve të befta zakonore, - ranë ndesh me atë praktikën mjekësore të heqjes së fashave, pas një operacioni të syve: këshilla e specialistëve është se heqja e mbulesës së syve të bëhet në ambient të errët, gradualisht. Disa pacientë, të etur për të parë dritën në mënyrë të menjëhershme, u verbuan!
Majtizmi i skajshëm megaloman ka një nxitje të madhe në këtë drejtim. Nëse veprimtaria shoqërore për të drejtat e homoseksualizmit, në botën e zhvilluar, ka një kuptim njerëzor për respektimin e të drejtave të pakicave, këtu te ne janë shfaqur dukuri lënduese: Vajza të mbyllura, iu dhanë si pa të keq prostitucionit! Kanë përbuzur, shpesh, ndjesinë prindërore, duke i mbyllur prindërit nëpër azile, pa qenë kjo një domosdoshmërí.
Por në koncept, në disa dukuri, kemi kaluar edhe botën demokratike të zhvilluar.
Është e vërtetë se në SHBA, u morën të gjitha gazetat me çështjen Bill Klinton – Levinski. Po ashtu edhe në Francë me çështjen familjare të presidentit Sorkozí me Karla Brunin. Mitërani ka zgjuar vëmendjen e medies për disa probleme të këtij karakteri. Por në asnjë rast nuk ka ardhur puna gjer aty sa të keqtrajtohet e të brutalizohet çmendurisht, në mënyrë poshtëruese, bashkëshortja. Kuptohet, se e kemi fjalën tek Edi Rama. Nuk jemi në një fushë hamendësish. Madje Edvini është recidivist, në këtë drejtim. Gruaja, kështu, mund të përmendet në shumës. Dhe nuk është dr. Berisha që ka nxjerrë publikisht për herë të parë përdhosjet e karakterit familjar. Por është bash ai , i cili ia ndërroi fizionominë politike gazetës së tij, e që tani merret në mbrojtje nga vetë i akuzuari, për një pëllëmbë që iu dha (siç u provua nga vetë shprehjet e gjyqtarëve), jo nga biznesmeni që u penalizma aq rëndë në veprimtarinë e tij të punës, por nga njëri prej bodigardëve të tij. Është kjo gazetë e ndërrimit të kursit politik, pra, që kishte folur kundër E.R.-s për gjyqin meskin ndaj bashkëshortes së tij, me fac símile. Gazeta shkruante për keqtrajtim të gruas; për prekje të dinjitetit të saj nga keqtrajtuesi që refuzonte detyrimet familjare që rridhnin nga divorci; për akuzat e E.R.-s se fëmija ishte i babait të vet... E ç’të thuhej më tepër? Autori i këtij shkrimi sensacional tanimë është mjaltë e qumësht me të paditurin gjer në këtë shkallë!
* * *
Tani mediet e fuqishme të një majtizmi të skajshëm, e kanë vënë veten në një gjendje kundërthënëse: Duan t’ua mbyllin gojën njerëzve, për të mos folur publikisht për shthurjen familjare, që do të cenonte në radhe të parë kreun e PS-së. Kjo duhej të mbetej si temë-tabù. Siç kishte bërë E. Hoxha me temat që s’duheshin përmendur. Të konsiderohej në mënyrë të njëanshme e drejta e privacy-së: privatësia nuk mund të prekej! Po përse ishte prekur në rastet e Klintonit, Sarkozisë, Mitëranit, që përmendëm në krye të shkrimit, madje edhe të Berluskonit? Së dyti, vetë e hapën kutinë e Pandorës, me atë të ashtuquajtur liberalizëm gjer në atë shprehje që ne s’e kemi, por që në fjalorin tonë dygjuhësh quhet djegie e etapave (it: bruciare le tappe). Domethënë, nga njëra anë nuk durojmë që e drejta zakonore të ecë në mënyrë evolutive, por në mënyrë të vrullshme; por, nga ana tjetër, kërkojmë një privatësí absolute! Por a e respektojnë vetë këtë privatësi? Erion Braçe, i ndërsyer nga Edvini, e ka bërë lajtmotiv togfjalëshin “familja kryeministrore”. Merren nëpër gojë djali, vajza, nipi, mbesa....Po a është i besueshëm ky njeri që flet natë-ditë për “korrupsionin qeverisës”? Ekstradimi i Aldo Bares (Alfred Shkurtit), ish-truprojës së Nexhmijes, të akuzuarin për 20 krime, e nxjerr të komprometuar gjer në rrasht Erionin. Atij i ka dalë emri si i implikuar drejtpërdrejt me Baren, për aferën e një autostrade Lushnjë-Fier, në të cilën do të ishte përfitues i rëndësishëm në administrimin nga grupi kriminal (Kapitulli 18, f. 398, i dosjes së prokurorisë italiane). Braçe i përket, pra, asaj kategorie, që bërtet “korrupsioni, korrupsioni” për të fshehur korrupsionin e tij! Përse u dashka që të flasë orë e çast Braçja, si zëdhënës i Edvinit, me fantazitë e tij për familjen e kryeministrit, ndërsa ky i fundit u dashka të mos japë as një përgjigje të vetme? Dhe shumëkush, mos të harrojmë, është shprehur se shumë i durueshëm është ky kryeministri ynë. Sepse qëndrimi familjar i E.R.-s, është edhe i dënueshëm penalisht. Me që gruaja nuk rrihet as brenda mureve të shtëpisë, palé publikisht. Tjetër punë se gratë për të cilat po flasim ndihen të diskriminuara (na rroftë predikimi për hipokrizinë e demokracisë ultraliberale!) dhe nuk duan të bëjnë skandal.
Por skandaloze janë edhe zërat që dëgjohen në bashkëbisedimet e medieve, nga disa të molepsura me përrallat e privatësisë: - Pu, pu, pu... të marrin nëpër gojë intimitetet e një njeriu (e na duket se po çjerrin faqet!). - Mos u përvajtó, zonjë. Se ai që i mori në gojë së pari, është aleati juaj i tanishëm. Por a nuk e dini ju, se të rrahësh gruan është e ndaluar me ligj? Mirë këto, se u indoktrinuan me të drejtat e pakufizuara në familje (!), në mbrojtje të shefit të tyre. Pa na del edhe një kryeredaktore e një gazete të majmëruar, e na thotë:
-Bashkëshortja e kryeministrit, duhet ta ndjejë veten keq me atë që bëri burri i saj! Cilido mund t’i përgjigjet: - Përse, keni marrë gjë vesh ju, për rrahje në shtëpinë kryeministrore? Ndërsa ne të tjerët mund të themi:- Ndër ata personalitete që përmendëm a mund të thoni, qoftë edhe për njërin, se ka rrahur gruan?