Homazh/Dedë Alia (Shala), ikona e një familjeje të përndjekur nga sistemi komunisit
Në ceremoninë e organizuar nga Këshilli i Komunës Qafë-Mali në Pukë, me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) të ish-anëtarit të këshillit të kësaj komune, z. Dedë Ndue Alia i njohur në popull si Dedë Shala, në fjalën e mbajtur nga z. Eduard Papushi, në mes të tjerave, ai tha: “Pas çlirimit të vendit, Deda bashkë me Qazim Bajramin, janë mësuesit e parë të Kryeziut (sot në komunën Qafë Mali-shënimi i autorit) të cilët bashkëpunuan me Mësuesin e Popullit Ndrecë Ndue Gjoka”. Ndonëse njeriun për të cilin bëhej fjalë e njihja që prej tre dekadash, kisha kuvenduar me të qindra herë, më kish rrëfyer qindra histori dhe ngjarje të rëndësishme të jetës së tij të pasur e të mbushur me evenimente interesante prej një njeriu të gjithanshëm me emër të nderuar e shumë të respektuar në tërë rrethin e Pukës e në krahinat përreth. Këtë hollësi të jetës së tij, sikur e kisha disi të mjegulluar në kujtesë.
Ndoshta nga modestia që karakterizonte Dedën, s’mbaja mend të ma kish thënë së gjalli këtë fakt, ndoshta ngaqë ai më kish treguar në kuvendet këmbëkryq që shtronte në konakun e vet, aty në kopsht a bahçen e vet, në mes të malit a bjeshkës etj., aq e aq gjëra të rëndësishme, këtë gjë ndoshta e kisha harruar...
Por sidoqoftë, në muzeun e fshatit Kryezi në rubrikën për arsimin gjetëm fotografinë e tij me diçiturën “Dedë Ndue Alia (Shala)-mësues i parë i pasçlirimit”. Aty sqarohej se shkolla e parë shqipe në Kryezi ishte hapur në vitin 1934. Ishte mbyllur gjatë luftës dhe ishte rihapur në vitin 1945, ku mësues i parë ishte emëruar Dedë Ndue Alia (Shala).
Në kujtimet që ruan për babanë, djali i tij, Ndoci më lexon diçka interesante, ashtu siç ia kish thënë i ati, Deda, disa vjet më parë: “Në vitin 1945 shkova në Shpal të Mirditës, në një takim me Mësuesin e Popullit Ndrecë Ndue Gjoka dhe i kërkova të më gjente disa libra për shkollën e Kryeziut. I tregova se kisha siguruar dy abetare, por më duhen më shumë. Ndërkohë Ndreca qeshi e m’u lut t’ja jepja njërën prej abetareve. Atëherë, pasi ia dhashë librin, i thashë me shaka: - Ore Ndrecë, mua më ngjau si puna e Shytës që shkoi me marrë veshtë, por la edhe brinat. Ndreca qeshi, më ra shpatullave dhe duke më falënderuar më shtrengoi dorën. U ndamë, fatkeqësisht për të mos u takuar më, pasi nuk shkoi shumë dhe atë e vranë. Me respekt kujtojnë mësuesin e tyre ish-nxënësit e atyre viteve si Nikollë Mark Prendi, Nikollë Zef Doda, Ndue Dedë Kovaçi, Frrok Rrapi, Elez Beshiri, Sylë Abazi, Mustafë Ademi, Ndoc Ukshini etj., që ishin të shkëlqyer në mësime e disa prej tyre u bënë edhe administratorë të strukturave shtetërore të rrethit.
Dedë Ndue Alia rrjedh nga një familje e madhe e ardhur në Kryezi të Pukës nga Shala e Dukagjinit. Ai lindi më 5 prill 1918. Familja e madhe e Aliajve me gjashtëdhjetë anëtarë njihet në Kryezi e në të gjithë krahinën e Pukës e rreth saj si familje me emër të mirë, mikpritëse e bujare, njerëz punëtorë, trima dhe të zgjuar. Deda, që në fëmijëri u edukua me vlerat më të mira të të parëve të tij. Fëmijëria e tij, aty midis bjeshkëve, ishte e varfër si për të gjithë fëmijët e malësisë. Rritur mes bjeshkëve me gurra ujë të kristaltë, midis pishave e bredhave qindravjeçarë, Deda formoi një shtat të lartë, trup të fuqishëm e të drejtë si lastar me një bukuri të veçantë fizike. Ai u rrit dhe u edukua me normat e pastra morale të malësisë, në një vatër bujare ku zienin kuvendet e malësorëve e buçiste çiftelia, diskutoheshin probleme të rëndësishme, këndoheshin këngë trimash, ballada të moçme etj, aty në mes të oshëtimës legjendare të pyjeve të pishës e këngës së zogjve. Shkronjat shqipe i mësoi në fshatin e lindjes me mësues Filip Lacukun, i cili hapi edhe shkollën e parë shqipe të fshatit. Në maj 1939 mobilizohet ushtar, ku shërbeu për tre vjet me radhë në Këlcyrë, Korçë, Pogradec, Leskovik e në viset e Kosovës. Pas mbarimit të LDB-së, në 1945, falë nivelit të tij më të lartë arsimor, emërohet mësues në shkollën e Kryeziut ku punoi deri më 1947. Shkëputet nga kjo detyrë për të punuar në Sharrat e Pukës në funksione të ndryshme drejtuese si përgjegjës në sektorët më të vështirë, shef transporti i ndërmarrjes etj, ku punoi me përkushtim deri në daljen në pension, në vitin 1975. Po të pyesësh ish-punonjësit e ndërmarrjes së përpunim-drurit të Fushë-Arrëzit, të gjithë flasin me respekt e mirënjohje për Dedë Alinë (Shala) si njeri korrekt, me figurë të lartë morale, human e i dashur, komunikues, njeri fjalëmbël e gjithmonë i qeshur. Ish-drejtor në Sharrat e Pukës, Pjetër Gjon Çuni na tregonte për bashkëfshatarin e tij, Dedë Shala, se ai ishte një punonjës e drejtues i palodhur. Ndonëse e dërgonin në sektorët më të vështirë, falë aftësive drejtuese e komunikuese me punëtorët, dilte gjithnjë i dalluar. Deda ishte jo vetëm organizator i aftë, por edhe njeri i këngës dhe i humorit. Çiftelinë nuk harronte ta merrte me vete edhe në bjeshkë. Aty, në hijen e pishave dhe të aheve, në kohën e pushtimit. Këndonte këngë epike, lirike e legjendare. Zëri i tij përhapej grykave e honeve që nga Kunorë-Dardha e deri në Kërrabë e Qafë-Plakë. Kështu ai dinte të argëtonte punëtorët e tij. Si një rapsod i njohur, ai dinte përmendësh “Lahutën e Malësisë”, e qindra këngë të tjera trimërie. Këndonte bukur në dasma, festa e gëzime popullore. Tërë krahina e njihte Dedën si njeri bujar, human e me shpirt të gjerë. Pensionisti nga Kryeziu Rasim Kamberi kujton: “Dedë Shala ishte babush”. Kur i shkonim mysafirë në shtëpi gjithmonë e gjenim të qeshur. Merrte çiftelinë e këndonte këngë kushtrimi. Pasi mbaronte këngën thoshte: “Hajde, bujrum, mirëse u pruni Zoti!”
I tillë ishte Dedë Ndue Alia: njeri i shkollës dhe i artit, i humorit dhe i këngës, i punës dhe i dashurisë për njerëzit. Mësues dhe edukator shembullor i nxënësve dhe i popullit të krahinës së tij, i familjes dhe i të gjithëve. I etur për dije dhe arsim, me gjithë problemet që kish në biografi në vitet e diktaturës, ai u dha arsim tërë fëmijëve, ndërsa nipërit e mbesat u diplomuan në vitet e demokracisë në universitetet më prestigjioze të SHBA, Anglisë e Italisë. Ndaj ai vdiq i lumtur për trashëgiminë morale, kulturore e familjare. Është interesant që në momentet e fundit të jetës së tij urdhëron kushëririn e vet të këndojë një këngë me çifteli. “Jeta ime ka qenë gjithmonë këngë, ndaj dua të vdes me këngë, i lumtur se po le trashëgim pasardhës të aftë për vete, familjet e tyre dhe shoqërinë...”. Këto qenë fjalët e fundit të Dedës, më 26 gusht 2003, ditën që ndërroi jetë, në moshën 85 vjeçare. Për portretizimin e tij si njeri i shkollës dhe i artit, i luftës dhe i punës, i dashurisë njerëzore, për Dedë Alinë, s’mjaftojnë faqe e faqe të tëra. Përveç kujtesës që ka lënë në zemrat e popullit të Malësisë së Kryeziut e të Pukës, ai është dekoruar me “Medalje trimërie”, si veteran i LANÇL. Familja e tij ka marrë “Bekim Apostolik” nga shenjtëria e tij, Papa Gjon Pali II. Familja e madhe e Aliajve nuk i shpëtoi dot regjimit komunist, por pas viteve ’90, Komuna Qafë-Mali ka vlerësuar me titullin “Krenaria e Komunës” xhaxhain e Dedës, Mark Dod Alinë, i cili qe burgosur politikisht në moshën 90-vjeçare për agjitacion dhe propagandë.
Po kështu, Dedë Ndue Alia(Shala) në tetor 2009 mori nga Komuna Qafë Mali (Kryezi) titullin “Qytetar Nderi” i Komunës.
Hilë Lleshi, studiues, mësues historie