E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama nuk lejon votën për imunitetit

 Në këtë takim u diskutua lidhur me ecurinë e tematikës së Kryesisë Shqiptare të Këshillit të Evropës  si dhe për zhvillimet pozitive në vend.

Berisha theksoi se marrëveshja e nëntorit midis forcave politike u respektua nga palët, në këtë kontest u miratuan reforma zgjedhore dhe një seri kodesh por, u shpreh ai, tani në një qëndrim bllokues zoti Rama nuk pranon heqjen e imunitetit.

"Ai për më shumë se 5 vjet e bllokoi heqjen e imunitetit duke kërkuar që kjo heqje të bëhet nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Kur ne pranuam heqjen e imunitetit nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës dhe dorëzuam në Parlament projektin e përgatitur nga Këshilli i Evropës dhe Euralius, zoti Rama nuk pranoi të votojë atë, por kërkoi të votohet projekti i Partisë Socialiste, i cili nuk lejonte arrestimin dhe kontrollin e banesës së deputetit pa miratimin e Parlamentit. Kur ne pranuam kërkesat e tij, Zoti Rama përsëri deklaroi se nuk do të lejonte grupin të votonte më datë 6 gusht heqjen apo kufizimin e imunitetit megjithëse kjo datë është caktuar me datë 12 korrik si datë për votimin e heqjes së imunitetit me miratimin unanim të Parlamentit", u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, theksoi kryeministri, që çdo qytetar shqiptar po pret me padurim rrëzimin me datë 6 gusht të murit të imunitetit dhe korrupsionit dhe hapjen e dyerve të Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Berisha u shpreh se zoti Rama nuk voton heqjen e imunitetit vetëm e vetëm për të bllokuar marrjen e statusit mbasi beson se kjo do të dëmtojë në sytë e shqiptarëve qeverinë, ndërkohë që kjo dëmton  rëndë interesin jetik të çdo qytetari shqiptar.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PPE në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës zoti Luca Volonte, u shpreh se ky bllokim nga zoti Rama i procesit të statusit është  tejet i dëmshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Zoti Volonte theksoi se zoti Rama në takimin e fundit me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kishte akuzuar qeverinë se nuk pranon heqjen e imunitetit, sepse me imunitetin mbron korrupsionin e zyrtareve të saj kurse tani rezulton se është ai dhe opozita që duke bllokuar heqjen e imunitetit mbrojnë korrupsionin dhe bllokojnë marrjen  e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian nga Shqipëria.

Zoti Volonte në këtë takim vlerësoi lart qëndrimin parimor të mazhorancës  për heqjen e imunitetit dhe përgëzoi kryeministrin Berisha për kompromiset e tij për të arritur në një projekt të përbashkët për këtë çështje me një rëndësi kapitale për vendin. /Start/

                                                                                             2012-08-03 14:53
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›