E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani- Liberman: Me rëndësi forcimi i marrëdhënieve politike

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është takuar sot me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit, Avigdor Liberman, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të një vizite zyrtare.
 

Kreu i Shtetit mbështeti angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit edhe përsa i përket fushës ekonomike dhe investimeve. Ai e siguroi zotin Liberman për klimën miqësore ndaj biznesit në vendin tonë duke inkurajuar biznesin dhe investitorët izraelitë që të investojnë në Shqipëri në fusha të ndryshme të ekonomisë.
 

Presidenti Nishani shprehu bindjen se forcimi i marrëdhënieve politike mes dy vendeve tona është i një rëndësie të madhe dhe në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Kryetari i Shtetit e falenderoi Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit për urimet e Presidentit Shimon Peres për marrjen e detyrës, duke i përcjellë nderimet dhe ftesën për ta mikpritur në Tiranë Presidentin Peres në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
 

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Liberman, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve shprehu mirënjohjen për ndihmën që populli shqiptar i ka dhënë popullit hebre në momentet e vështira gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
 

Zoti Liberman shprehu shpresën që marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe popujve të zhvillohen edhe në nivel ekonomik, turizëm dhe shkëmbim kulturor. Zëvendëskryeministri njëherësh Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit Avigdor Liberman u ndal edhe në zhvillimet politike në rajonin e Lindjes së Mesme, dhe shprehu shqetësim për situatën në Siri, në vendet e tjera të rajonit dhe qëndrimet e Iranit për politikën bërthamore, si një kërcënim i paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
 

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerësoi se shembulli i Izraelit tregon se demokratizimi i vendit, zhvillimi ekonomik dhe dialogu janë rrugët për zgjidhjen e problemeve në rajonin e Lindjes së Mesme.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›