E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama ofendoi demokracinë

 

Aldo Kozarja

Kryeministri Sali Berisha kërkon nga Maliqi edhe votat e socialistëve për të shndërruar në realitet, siç tha ai, projektin e Shqipërisë Evropiane. Kreu i qeverisë rikthehet për të dytën herë brenda pak ditësh në qarkun e Korçës, ku në Maliq dhe Pogradec kërkoi mbështetje për mandatin e dytë të koalicionit të djathtë. “Unë sot do t’u bëj thirrje pensionistëve të Maliqit, të rinjve të Maliqit, qytetarëve të Maliqit, fermerëve të kësaj zone, demokratë dhe socialistë, çfarëdo që ju jeni, të bashkoheni në projektin e Shqipërisë evropianë, të Maliqit evropian, të Korçës evropiane. Ky projekt është projekt ëndërr”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij “dy ëndrra kishim ne; anëtarësimin në NATO, të cilën e realizuam. Le të bashkohemi të gjithë për të realizuar ëndrrën e dytë: Shqipëria evropiane. Shqipëria evropiane na kërkon të gjithëve së bashku. Shqipëria evropiane duhet të jetë fati i çdo shqiptari”. Gjatë takimit në Maliq kreu i qeverisë premtoi se brenda vitit të ardhshëm do të përfundojnë punimet në autostradën Qafë Plloçë-Qukës, teksa theksoi se distanca drejt kryeqytetit do të shkurtohet me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Në të njëjtën kohë kreu i demokratëve premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve gjatë katër viteve të ardhshme. Duke iu rikthyer kundërshtarit të tij politik, Edi Rama për moskandidimin në zgjedhje, Berisha tha se kreu i PS-së me këtë akt ka lënduar demokracinë shqiptare. “Për herë të parë një kryetar i një partie kryesore nuk guxon të vendosë emrin e tij në krye të listës, duke ofenduar dhe lënduar në mënyrë të papranueshme, para së gjithash socialistët shqiptarë, të cilët janë një shtyllë e pluralizmit në këtë vend. Por, ai ka ofenduar dhe ka lënduar edhe demokracinë shqiptare, me këtë standard të tij të përçudnuar”, u shpreh Berisha. Më herët kreu i qeverisë ishte në qytetin e Gramshit ku theksoi se qytetarët e kësaj zone nuk do të harrojnë votën kundër të PS-së në Parlament për ndërtimin e hidrocentralit e Banjës dhe Devollit, të cilat sipas tij do të punësojnë mbi 7 mijë vetë. “Thirrja ime për të gjithë ju, për të gjithë socialistët, për anëtarët e partive të tjetra për të gjithë gramshiotët pa parti, është mos harroni se Edi Rama në parlamentin shqiptar votoi kundër koncesionit të Kaskadës së Devollit, kundër të gjitha koncesioneve, mos harroni se, ai votoi kundër rritjes se rrogave dhe të pensioneve”, u shpreh më tej Berisha. Nga qyteti i Pogradecit ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që këto ditë që kanë ngelur deri në zgjedhje të paraqiten për të aplikuar dhe për të tërhequr letërnjoftimet e reja dhe në 28 qershor të votojnë nr. 10 në listën e partive politike.

Mediu: Votoni numrin 16
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu zhvilloi dje një takim elektoral në qytetin e Krujës, ku i kërkoi qytetarëve të votonin nr. 16 në listë. "Unë ju siguroj ju se vota juaj për nr. 16, Partinë Republikane është vota e cila do t'i japë një mandat të dytë koalicionit të djathtë për finalizime të tjera suksesesh, se vota juaj për Partinë Republikane do të na sigurojë të gjithëve një të ardhme të sigurt, për ne, familjet tona, për Shqipërinë që duam, për të parë të sigurt sot në NATO, nesër në BE", theksoi kreu i republikanëve gjatë këtij takimi. Sipas tij "Me anë të votës ne do të votojmë për të ardhmen tonë të përbashkët. Do të votojmë për vazhdimin e reformave, vazhdimin e investimeve, në arsim, shëndetësi, ekonomi, infrastrukturë dhe çdo sektor tjetër, të luftojmë më tej korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar standardet që meritojnë të gjithë shqiptarët, standarde evropiane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›