E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI, përcaktuese për qeverinë e re

 

Lideri i Lëvizjes Socialiste, Ilir Meta, në takimet e zhvilluara me të rinjtë në Hajmel dhe me elektoratin në Vaun e Dejës të Shkodrës u shpreh se në këto zgjedhje forca e tij politike do të përcaktojnë maxhorancën e ardhshme. “Me këtë sistem zgjedhor zgjedhjet i fiton LSI-ja, sepse LSI-ja është forca vendimtare përcaktuese për maxhorancën e ardhshme dhe për qeverinë e re, kështu që kjo është një garanci shumë e mirë, që ne të realizojmë premtimet tona kryesore dhe angazhimet tona kryesore janë me rininë. Ne të rinjtë nuk i përdorim si dekor apo si fasadë, por ne të rinjtë dhe të rejat i vlerësojmë dhe iu kemi dhënë prioritetet më të favorshme”, the Meta. Kreu i LSI-së, theksoi se “ne vijmë me një program shumë të qartë për të gjithë Shqipërinë, për të garantuar 100 mijë vende të reja të qëndrueshme pune për katër vitet që vijnë. Është një program shkencor dhe realist, konkret për të gjallëruar ekonominë, për të gjallëruar bizneset, për të futur njerëzit në punë dhe kjo, në radhë të parë, do të thotë të futen të rinjtë në punë”. LSI synon për të bërë atë reformë në arsim që ndihmon të gjithë që të punësohen më shpejt, si ata që nuk do të ndjekin studimet e larta, por edhe ata që ndjekin shkollën e lartë. “Shqipëria ka mundësi të mëdha për t’u zhvilluar, por nuk do të zhvillohet me përralla si puna e centraleve bërthamore apo atyre termocentraleve, që do Saliu të na i ndërtojë në Durrës, si diçka të madhe. Ne nuk kemi nevojë për këta gjëra, ne kemi nevojë për të bërë ato hidrocentrale që Shqipëria e ka mundësinë dhe janë me leverdi shumë të madhe. Ne kemi nevojë për të zhvilluar bujqësinë dhe kemi programin më të mirë se si do të punësohen 50 mijë veta në bujqësi dhe në agro-përpunim, si në fshat ashtu dhe në zonat e qytetit gjatë katër viteve që vijnë”, theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›