E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama po del kundër sistemit demokratik - garantoj se vota do numërohet me transparencë

19-05-2011 / Gazeta 55

Kreu i Qeverisë Sali Berisha akuzoi dje kryetarin e opozitës Edi Rama se me aksionet e tij antidemokratike, po përpiqet të paralizojë punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se kreu i PS-së po ndjek një rrugë kryekëput të papajtueshme me rendin demokratik.
Berisha trajtoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, procesin zgjedhor, duke u ndalur veçanërisht në çështjen e numërimit të votave të qytetarëve shqiptarë për kryetar të bashkisë së Tiranës, të hedhura gabimisht në kutitë për kryetar të minibashkisë dhe të këshillit bashkiak. “Sërish çështja e parë e rendit të ditës janë zgjedhjet dhe nuk mund të ketë një çështje tjetër. Dy ditë me radhë, në dhunim të të gjitha ligjeve të vendit, u bënë përpjekje për të paralizuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, funksionimin dhe vendimmarrjen e tij, me rrugë kryekëput të papajtueshme me rendin demokratik. Në situatën aktuale, do të sqaroj qytetarët se kjo mazhorancë nuk ka kundërshtuar gjer sot as dhe një rezultat, përveçse raste sporadike në ndonjë komunë, që unë nuk kam dijeni të plotë, pra, ka pranuar çdo rezultat. Problemi është përpjekja për të konstatuar atë që në ligj nuk ekziston, por ekziston në realitet, atë që quhet rezultat paraprak. Ligji shqiptar nuk parashikon rezultat paraprak të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, de jure, por de facto ai ekziston, sepse atë e jep sistemi transparent elektronik që ne kemi vendosur dhe nuk mund të themi se nuk transmetohen në kohë reale votat dhe të dhënat dhe ata i kanë publikuar. Në rast se ne nuk kemi kundërshtuar as edhe një rezultat thelbësor, pala tjetër dhe konkretisht kryetari i Partisë Socialiste, zoti Rama kërkon të imponohet me çdo kusht që rezultati paraprak të mbetet përfundimtar dhe të dalë jashtë procedurave normale të vlerësimit dhe shqyrtimit. Ndaj dje është përpjekur ta paralizojë dhe sot e ka rrethuar nga të gjitha anët Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku në thelb, jo këtu, por aty, në atë Komision, rreh sot zemra e kombit, zemra e lirisë së kombit. Në qoftë se do të pranonim rezultatin paraprak për rezultat përfundimtar, ne do të asgjesonim sistemin e zgjedhjeve të lira, për të cilin ne jemi të vendosur ta mbrojmë me të gjithë potencialin tonë. Ne faktuam në sytë e botës se cilat ishin zgjedhjet që mund të bëjmë dhe bëmë. Ne, që nga të dhënat e para paraprake, të cilat oshilonin një herë në favorin tonë e një herë në disfavorin tonë, nuk bëmë asnjë koment, por i pritëm me qetësi, siç pritëm votën 17 përqind më shumë për koalicionin që kjo mazhorancë ka. Në këtë kontekst, nuk ka e nuk mund të ketë rezultat përfundimtar, përveç atij që certifikohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Asnjë seli partie, cilado qoftë ajo, e mazhorancës apo minorancës, nuk mund të shpallë rezultatin përfundimtar. Ne kemi një sistem të konsoliduar të shqyrtimit të ankesave, i cili, pavarësisht nga mendimet që mund të ndajnë forcat politike për këtë sistem, është faktuar si një sistem kompetent dhe që ka marrë vlerësimet e faktorit ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit KQZ-ja për Tiranën luan edhe rolin e një KZAZ-je, të cilën kryeqyteti nuk e ka dhe ndaj, është përgjegjësi e këtij institucioni që të shqyrtojë kontestimet. Berisha theksoi se nëse do të pranohej rezultati paraprak atëherë do të asgjësohej sistemi i zgjedhjeve të lira për të cilën mazhoranca është të vendosur ta mbrojë me të gjithë potencialin e saj.
Kryeministri u fokusua te fletët e votimit të gjetura në kutitë e tjera, duke theksuar se ato janë të vlefshme. “Çështja për qytetarët është kjo. Për Tiranën, në dallim nga të gjitha qytetet e tjera të vendit, ligjvënësi shqiptar, por edhe forcat politike, respektivisht Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë vendosur në ligjin elektoral që komision zonal të jetë KQZ-ja. Çka do të thotë se ai ka tagrin ligjor, detyrimin ligjor të shqyrtojë të gjithë dokumentacionet dhe procesin zgjedhor të Tiranës, sipas ligjit e dokumenteve të finalizojë në cilësinë e komisionit zonal tabelën përfundimtare të rezultateve për Tiranën si KZAZ, të cilën ia paraqet po KQZ-së, pasi këtë ligj kemi bërë ne dhe mbi bazën e saj, KQZ-ja shpall rezultatin përfundimtar. Zoti Rama, në rezultatin pre-eleminar, rezulton 10 vota para. Problemi qëndron tek votat e pa-numëruara, të cilat janë hedhur në kuti të ndryshme. Në të gjithë ligjin e botës demokratike, ato janë vota që meritojnë numërim. Dhe ligji jonë elektoral detyron numëruesin të fillojë me kutinë e kryetarit, të vazhdojë me kutinë e këshillit bashkiak, të vazhdojmë me kryetarin e minibashkisë dhe më pas, me atë të këshillit bashkiak për njësinë. Pra, ka pasur një proces tërësor. Sikundër dekreti i Presidentit parashikon një zgjedhje unike, si proces. Këto vota janë evidentuar në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës. Për rreth 82  prej tyre, kjo mazhorancë disponon dokumente për ekzistencën e tyre, të firmosura nga komisionerë të të dyja palëve. Ligji elektoral i vendit dhe i çdo vendi të lirë kapitullin më rigoroz, më të prerë e të qartë ka kapitullin e pavlefshmërisë së votës, me vetëdijen se në ato nene ligjvënësi cenon me vendimin e tij një të drejtë themelore. Pra, janë përcaktuar kushtet, kur një votë është e pavlefshme. Ligjvënësi shqiptar, ai italian, austriak dhe të gjithë ligjvënësit e tjerë nuk e kanë përfshirë në votën e pavlefshme votën e hedhur në kuti të ndryshme, pasi ajo nuk është e pavlefshme, deklaroi më tej, kryeministri Berisha, duke garantuar se, ato vota do të numërohen në transparencën më absolute dhe në sytë e të gjithë shqiptarëve”.
Kreu i qeverisë apeloi në përfundim që opozita të tërhiqte njerëzit nga rrethimi i institucionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ndaj unë e ftoj t’i largojë njerëzit nga rrethimi, të mos rrethojë një institucion të pavarur, sepse ky është një akt shumë, shumë i rëndë, të mos kërcënojë njerëzit në detyrë. Pasojat do të jenë jashtëzakonisht të rënda, në qoftë se cenohet puna e KQZ-së. KQZ-ja është një Komision i zgjedhur me vota unanime, me konsensus. Në këtë moment nuk janë kryeministri, as kryetari i opozitës, njerëzit më kryesorë. Njerëzit më kryesorë janë ata që po bëjnë detyrën. Aty rreh zemra e kombit, zemra e lirisë së kombit. Ndaj, unë ftoj të rishqyrtojë qëndrimin e tij, pasi absolutisht çdo votë do të numërohet me transparencën më të madhe, por, në rast se dikush na thotë të mos numërohet, në mënyrë absolute çdo votë do të numërohet. Kjo nuk do të ketë asnjë ekuivok. Këtë nuk e bëjmë kategorikisht as për të ndryshuar rezultat a gjë tjetër, por, para së gjithash, nga detyrimi themelor kushtetues, vota e çdo qytetari duhet të numërohet. Një komb që nuk e bën dot këtë, nuk mund të pretendojë për të ndërtuar të ardhmen, nuk mund të pretendojë për të konsoliduar lirinë”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›