Berisha: Rama po tjetërson pronat
Oerd Ulqini
Kryeministri Sali Berisha akuzon kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po tenton të tjetërsojë tokat e pronarëve në Shkozë për të ndërtuar banesa sociale. Në vijim të turit elektoral, kreu i qeverisë u ndal në rrethinat e kryeqytetit ku premtoi zgjidhjen përfundimtare të procesit të legalizimeve dhe furnizimin 24 orë me ujë. “Bashkia e Tiranës po ndërton këtu banesa sociale. Një grup qytetarësh kanë paraqitur pretendimet e tyre me dokumente se janë pronarë të tokës. Unë i them zotit Rama; do të zgjidhësh problemin e pronësisë me qytetarët. As edhe një metër katror tokë të ndokujt, nuk të lejoj të marrësh”, theksoi Berisha. Sipas tij “është e vërtetë që toka të ka ardhur me vendim të Këshillit të Ministrave, por kjo nuk do të thotë që mund të bësh edhe veprimin e vetëm më të vogël pa zgjidhur problemin e pronësisë. Mos spekulo, sepse toleranca, absolutisht, do të jetë zero. Anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen më të afërt do të marrin vendimet. Po e provuan me dokumente se toka ka pronar, do të jesh i detyruar të arrish marrëveshje me ta për t’u dhënë atyre dy, apo sa është ligji përkatës, dhe për të vazhduar punën. Ato kate që do i ndash me Edil-in tënd do t’ua japësh qytetarëve që u takon”. Nga qyteti i Saukut, kreu i qeverisë kërkoi sërish mbështetje për mandatin e dytë, duke rikujtuar edhe njëherë zgjedhjet e vitit 2005 në këtë zonë, ku një prej ministrave më të rëndësishëm të qeverisë së ish kryeministrit Nano, Anastas Angjeli, humbi përballë kandidatit të PD-së, Ylli Pango. “Ju bëj thirrje që, më 28 qershor, ju, që katër vite më parë gjunjëzuat “mamuthin” e korrupsionit dhe që unë nuk jua harroj kurrë këtë, të ripërtërini besimin ndaj meje. Ju jap fjalën se në Sauk do të bëhet urbanizimi total, se në Sauk, nuk do të le metër katror të pa asfaltuar, se në Sauk do të sigurojmë ujë 24 orë, se në Sauk, Bashkia e Tiranës nuk do të mund të prekë asnjë metër katror, përveç se me vlerën më të madhe të tregut, për ndërtimin e unazës së re”, theksoi kreu i demokratëve nga Sauku. Në fund, ai u ndal në Qytetin Studenti ku theksoi se “pas 19 vitesh, 3 javë me parë, në këtë shesh, u shfaqën si kapuçonë bijtë e etërve që ne i përmbysëm pikërisht këtu. Ata më ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara që shkojnë e rikthehen në batalionin e tyre. Unë i them zotit Rama: Ja ku jam me këta studentë. Atë që u bëra etërve në vitin ’92, atë që u bëra bijve në vitin 2005, do t’ua bëjmë sërish në vitin 2009, do t’ua bëjmë në vitin 2017”.