Topalli: Mos votoni PR e PDK, janë mafiozë
SHKODER - Deklarata e nënkryetares së PD-së Jozefina Topalli lidhur me partitë e vogla, dhënë gjatë një takimi elektoral në fshatin Mes të komunës Postribë, ka shkaktuar reagimin e republikanëve. Topalli para banorëve të kësaj komune u ka kërkuar atyre që: “Asnjë votë të mos jepet për partitë e tjera, qofshin ato dhe pjesëtare të koalicionit të djathtë pasi çdo votë për to është votë kundër Partisë Demokratike, është një votë për Edi Ramën. Ne do të këmbëngulim që të marrim aq deputetë sa të qeverisim të vetëm, pa ato partitë e vogla, demokristianë , republikanë, etj. Këta janë o spiunë, o mafiozë o kontrabandistë”, u ka pohuar Topalli të pranishmëve në këtë takim. Po kjo gjë ka irrituar krerët lokalë republikanë dhe demokristianë të cilët kanë dalë duke reaguar publikisht ndaj kësaj shprehjeje të Topallit. Kreu i PR-së në Shkodër, Namik Kamberi ka reaguar se e respekton kontributin e Topallit gjatë këtyre viteve, por në asnjë mënyrë nuk duhet të vihet shenjë barazimi mes tyre dhe demokristianëve. “Deklaratën e saj do e quaja pa vend dhe aspak diplomatike. Ne kemi qenë krah PD në kohë të vështira. Uroj që deklarata e Topallit të jetë një lapsus. Kam komunikuar me kryetarin e PR-së, Fatmir Mediu, që ka kërkuar të verifikohet një deklarim i tillë, pasi nuk e meritojmë një epitet të tillë”. Dhe kreu lokal i PDK-së, Mark Krroqi reagoi dje, duke u shprehur se nuk është normale që për të fituar vota të shahen kundërshtarët dhe të etiketohen me shprehje nga më të ndryshmet. r.d