Kunati i kandidatit të PD, incident në mitingun e Blushit
Dje në mitingun e socialistëve në fshatin Vloçisht të Korçës nuk kanë munguar incidentet. Gjatë kohës që kandidati socialist Ben Blushi ishte duke folur para banorëve të këtij fshati, Viktor Skënderasi, kunati i kandidatit demokrat Ismail Hoxha, ka tentuar të prishë mitingun. Skënderasi ka provokuar kryesuesin e listës së PS-së në qarkun e Korçës, duke lëshuar fyerje dhe thirrje kundër në momentin që Blushi iu ishte drejtuar simpatizantëve të PS në miting. Më pas Blushi i është përgjigjur Skënderasit, duke e akuzuar si një njeri me precedentë penalë dhe i njohur në të gjithë zonën, se ka shfarosur pasuritë pyjore dhe pikërisht Pyllin e Fazanëve në Maliq, ku ai punon aktualisht. Kunati i kandidatit të PD, Ismail Hoxha ka vazhduar ndërkohë përpjekjet e tij në bashkëpunim dhe me disa mbështetës të tjerë, që të prishin mitingun e PS, por pa ia arritur dot. Ai ka hedhur thirrje kundër PS-së dhe kandidatëve të saj, ndërkohë që ndërhyrja e banorëve të fshatit ka bërë që tensionet të mos rriteshin më tej. Blushi ka vazhduar fjalën e tij, duke denoncuar presionet e ditëve të fundit që i bëhen simpatizantëve dhe anëtarëve të PS-së në të gjithë vendin. Ndërkaq incidente janë raportuar dhe në qytetin e Durrësit. Selia rozë e Durrësit akuzoi dje ashpër segmente ekstremiste të djathta, të cilat kanë hequr me dhunë flamujt e PS në aksin rrugor Maminas-Manëz. “Gjatë natës së datës 15 qershor disa militantë të PD-së në mënyrë të organizuar nga Bedri Luku, kandidat për deputetët i PD në qarkun e Durrësit, dhe me anë të mjetit vinç në pronësi të tij dhe Dorian Pjetri, kanë hequr të gjithë flamurët e PS-së të vendosur nëpër shtyllat e ndriçimit në dy anët e rrugës Maminas-Manëz”, denoncoi dega e PS Durrës.