KQZ: Votimet në 500 ambiente private
BLEDAR HOTI
Në zgjedhjet e 28 qershorit parashikohet që Qendrat e Votimit të ngrihen në 500 ambiente private. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parashikuar që në këto zgjedhje të përdoren 500 ambiente private. Pikërisht miratimi i këtyre ambienteve pritet të jetë objekt i diskutimit në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Partitë politike pritet të diskutojnë se nga 4812 KQV, që janë në të gjithë vendin, më shumë se 10 për qind e tyre do të jenë në objekte jo publike. Nga 500 qendra votimi, rreth 70 e tyre pritet të jenë në qarkun e Tiranës, ku vetëm 20 e KQV-ve do të jenë në zonën e Kamzës. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, deklaroi dje për “Panorama” se “do të shihen konkretisht se në cilat ambiente private do të jenë ato”. “Ne si PS do të insistojmë që këto KQV të jenë në ambiente publike, por nëse nuk ka duhet të vendosim për vende private. Por insistimi jonë primar do të jetë që ato të jenë në ambiente publike”, theksoi Gjonçaj. Ashtu si dhe për çështjen e ngritjes së Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, KZAZ, në ambiente private dhe për çështjen e KQV-ve, partitë pritet të debatojnë në lidhje me caktimin e tyre. Kohët e fundit ka pasur një përplasje në KQZ në lidhje me KZAZ, ku vendimi i marrë u kontestua në Kolegjin zgjedhor.
Ngritja e KQV-ve
Në bazë të Kodit parashikohet dhe ngritja e KZAZ-ve, KQV, GNV në ambiente të posaçme, siç janë edhe ato jo publike, si dhe në spitale, burgje. KQZ-ja ka përcaktuar një udhëzim të veçantë për mënyrën e ngritjes së qendrave të votimit, ku në pikën 3 të nenit 2 është përcaktuar se ambienti përcaktohet nga ana e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, me vendim, cakton vendndodhjen e qendrës së votimit, ku duhet të mbajë parasysh, për aq sa është e mundur, që vendndodhja e qendrës së votimit të jetë e njëjtë me atë të përdorur në zgjedhjet pararendëse. “Kur në territorin e zonës së qendrës së votimit nuk ka mjedise publike të përshtatshme për QV, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore i propozon KQZ-së, ngritjen e qendrës së votimit në një objekt privat, duke shpjeguar arsyet përkatëse”, në pikën 3 të nenit 3 të udhëzimit të KQZ-së. “Qendrat e votimit krijohen në: a. ndërtesa publike ku përfshihen: shkolla, çerdhe, kopshte, konvikte, qendra shëndetësore, qendra kulturore, qendra sportive. b.ndërtesa private në pronësi të personave fizikë ose juridik, vetëm me autorizim të KQZ-së, kur nuk është e mundur dhe e përshtatshme të krijohen në ndërtesa që përcakton pika 4.a e këtij neni”, thuhet në pikën 4 të nenit 2. Pra primare në përcaktimin e Qendrave të Votimit duhet të jenë ambientet publike dhe më pas në rast se nuk ka mundësi duhet të jenë ato private. Pika 5 e këtij neni të udhëzimit numër 3 saktëson se “ndalohet ngritja e qendrave të votimit në ndërtesa që përdoren apo janë në pronësi, pjesërisht ose tërësisht, të një partie politike apo kandidati ose të afërmve të tij”. Një qendër votimi sipas Kodit Zgjedhor, nuk mund të ketë jo më pak se 100 zgjedhës dhe jo më shumë se 1000 zgjedhës. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, nuk mund të ndryshojë vendndodhjen e qendrës së votimit në 10 ditët e fundit para datës së zgjedhjeve, përveçse në rastet e forcave madhore.