Berisha: Rama propagandë me pazare dhe trillime për të marrë pushtetin
Kryeministri Sali Berisha kritikoi sot gjatë mbledhjes së Qeverisë qëndrimin bllokues të opozitës ndaj reformave të integrimit. Shefi i ekzekutivit tha se Rama është konfirmuar si njeri i pazareve dhe përmes tyre kërkon të vijë në pushtet. Një tjetër detaj kryeministri theksoi marrjen e drejtimit të PS nga Edi Rama, po përmes pazareve. Sipas Berishës, kreu i opozitës bën propagandë keqdashëse me anë të 2 mekanizmave me qëllim që të marrë pushtetin. “Qartësoj qytetarët shqiptarë se një propogandë nxitëse e ligë, ziliqare dhe keqdashëse në infinit po bëhet në drejtim të jetës ekonomike të vendit. Kam të dhëna të cilat faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshëm gjallërinë dhe vitalitetin e ekonomisë sot. Ju njohja me rritjen prej 25.6% të shitjeve të përgjithshem që dekalrohen nga vetë bizneset. Është shumë fatkeqe propogada e zotit Rama. Ky zotëri ka vetëm dy mekanizma që mendon se do e afrojnë me pushtetin. I pari janë pazaret, më jep të jap. Nuk mundem, unë jam njeri i parimeve që besoj dhe u përmbahem. Ndaj i bëj thirrje të heqë dorë nga logjika e pazareve se bëhet figura më e keqe. Politika nuk është pazar por moral, tërësi principesh dhe alterantivash që mbrohen”, u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi se, ditën që Rama u zgjodh në krye të PS, dy deputetë socialistë me profesion ekonomistë, kanë komentuar mes tyre rreth detyrës së re të Edi Ramës. “Ditën që u zgjidh kryetar i PS, ja çfare thane 2 nga ekonomistët kryesorë të PS. Njëri i thotë shokut: ‘Ç’e deshi ky këtë detyrë se mora vesh? Tjetri i thotë: “Si ç’e deshi, ai mori bankën më të madhe të Ballkanit”.
Ndaj dhe koncepti i tij për partinë është pazari”- tha kreu i qeverisë.
Sipas tij, edhe deklaratat e Ramës për heqje taksash, janë taktikë elektorale. Kurse koncepti i dytë i Ramës sipas Berishës është trillimi.
Ligji mbi përgjimet, sjell standarde të reja
Qeveria miratoi sot ligjin e ri për përgjimet. Në nisje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Sali Berisha theksoi se ky ligj është punuar nga specialistë ndërkombëtarë në fushën e përgjimit.
“Sot kemi shumë projekte dhe ligje për miratim, 27 të tilla, por do veçoj një vendim, ligjin për përgjimet. Ligji është punuar me një bashkëpunim të gjerë dhe intensiv me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Sjell standardet më të reja në fushën e përgjimit, që ju gazetarët e keni pasion të madh”.
Sipas Berishës, ligji do i shërbejë luftës kundër krimit të organizuar dhe kërkesave për transparencë.
“Ligji u përgjigjet kërkesave të luftës kundër krimit të organizuar, kërkesave të transparencës si dhe është një produkt i një bashkëpunimi të ngushtë, të shumë institucioneve”.