E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama shkeli ligjin. Do të shpronësojmë "Tajvanin"

Sheshi i ndodhur tek ish-parku "Rinia", i njohur si zona e "Tajvanit", fut në sherr qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës. Kryeministri Berisha deklaroi dje se qeveria do të vendosë shpronësimin e një pjese të kësaj toke. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri sqaroi se qeveria do të anulojë vendimin për shitblerjen e 1350 metrave katrorë tokë publike në qendër të Tiranës, një akt i bërë tërësisht në kundërshtim me ligjin për shitblerjen e trojeve nr. 7980, datë 27.07.1995. Për këtë, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, të paraqesë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të Kushtetutës dhe përgjegjësinë e plotë të Këshillit të Ministrave, anulimin e këtij vendimi. Kryeministri Berisha argumentoi shkeljen, me aktin e shitblerjes së këtij trualli në qendër të Tiranës, duke theksuar se një transparencë e tillë do t‘u bëhet të gjitha rasteve të ngjashme me këtë rast, të përvetësimit të pasurisë publike për interesa personale. Duke bërë transparencën e këtij rasti, Kryeministri Berisha ju referua ligjit për shitblerjen e trojeve numër 7980, datë 27.07.1995, neni 3 i tij, i cili thotë se derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish-pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private bëhet vetëm për ndërtimin e banesave, me qëllim lirimin e banesave të ish-pronarëve, si dhe për të pastrehët, të ndërtuara nga Enti i Banesave për persona të tjerë.

Një tjetër hapësirë është vendimi i Këshillit të Ministrave për shitje, për investime shumë të rëndësishme për vendin. "Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës, kanë shkelur rëndë ligjet e vendit. Besniku i Ramës e mori për të ndërtuar banesa për ish-pronarët me Ramën? E ka bërë lokal tërësisht të përbashkët me kryebashkiakun", deklaroi Berisha.

Ai e vlerësoi si të shëmtuar shitjen e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. "Një truall, që në vendin ku ndodhet e ka çmimin mbi 2 mijë euro për metër katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t‘i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës", vërejti Kryeministri. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do t‘u faktojë shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit për të shkelmuar mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze, të konvertuara në qindra e mos në shumë milionë euro, të cilat fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil. "Kjo është një dëshmi e vogël, por tepër domethënëse se përse aleanca punisto-mafioze nuk do të respektohen dhe të njihen vendimet e gjykatave dhe na kërkon të shkelmojmë mbi to, madje na kërcënon", përfundoi Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›