Bregu: Sot shqiptarët kanë 208 arsye për të dënuar me votë kryetarin e PS-së
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu akuzon kryetarin e PS, Edi Rama, për veprime që bien në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, duke bllokuar për 208 ditë ligjet e konsideruara si çelësi për marrjen e statusit kandidat për në BE.
Në një deklaratë për mediat, ministrja Bregu theksoi se mazhoranca ka qenë dhe mbetet e gatshme për tu mbledhur në çdo kohë për votimin e 3 ligjeve, ndërsa sipas saj, kreu i PS-së kujdeset vetëm për interesat e karriges së tij.
“Rama nuk e ka vlerësuar asnjëherë seriozisht votimin e tre ligjeve. Ai ka marre mbi vete përbuzjen dhe neverinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët e dinë se u mungojnë miliona euro investime. Këtë damkë të zezë nuk ia heq Edi Ramës as lojërat dhe taktikat e partnerit të tij më të ri në koalicion. Janë bërë 208 ditë që Edi Rama për përfitime politike, merr vendime kundër interesave të qytetarëve, sepse e vetmja punë që ai di të bëjë është të kujdeset për karrigen e tij.”- u shpreh Bregu.
Sipas ministres Bregu, “sot shqiptarët kanë 208 arsye për të dënuar me votë kryetarin e PS-së”.
A na thotë dot Rama se si ia shpjegoi mosvotimin e 3 ligjeve kryeministres daneze sot në takim? A ndodh në Danimarkë që opozita të bllokojë aspiratat e qytetarëve, edhe atyre që e kanë votuar atë?”- theksoi ajo.