PD Politika bllokuese e Rames do te ndeshkohet si ne 8 maj 2011
Me qëndrimin që Partia Socialiste po mban ndaj miratimit me tre të pestat e votave, dëshmon qartë se ai përpiqet dhe shpreson se do të bllokojë për të tretën herë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. KY është konstatimi i Partisë Demokratike, lidhur me qënndrimet më të fundit të mbajtura nga lidershipi socialist mbi zhvillimet në Kuvend. Përmes zëdhënëses së saj, PD i kujtoi PS-së se mbështetja e reformave kyç për integrimin e vendit është detyrim për të gjitha forcat politike.
“Partia Demokratike i bën thirrje kryetarit të Partisë Socialiste z.Edi Rama të heqë dorë nga politika e bllokimit të reformave të drejtësisë, ngritjes së Kolegjit Administrativ dhe Gjykatës Administrative, jetike dhe e domosdoshme për bizneset dhe qytetarët shqiptarë, zgjidhjen e problemeve të tyre të shumta me Administratën shtetërore dhe mbrojtjen e tyre nga arbitrariteti i kësaj të fundit. Partia Demokratike i rikujton z.Rama se mbështetja e reformave për integrimin e vendit është detyrim kushtetues, statutor dhe programor për Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste si dhe të gjitha forcat politike të harkut kushtetues të vendit”, vuri në dukje zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi.
Sipas kësaj partie, me politikat bllokuese që po ndjek, lidershipi socialist do ta marrë përgjigjen e merituar në 2013.
“Për Partinë Socialiste pjesëmarrja dhe kontributi në proçesin e integrimit, nuk është një lëshim që i bën qeverisë, por një shans i vërtetë historik dhe i mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë.
Kurse bllokimi i këtyre proceseve duke detyruar deputetët socialistë që të mos votojnë reformat integruese në Parlament, është rikthim i Partisë Socialiste në të shkuarën e saj tejet të hidhur, rikthim tek blloku dhe bllokimi, të cilin si ç'dëshmuan zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit 2011, shqiptarët do ta ndëshkojnë vendosmërisht me votën e tyre të lirë”, deklaroi Bardhi.