Qeveria Rama dezinformon publikun per reklamat

Qeveria do vijojë publikimin e reklamave, duke garantuar se nuk do të ketë diskriminim të mediave. Një fakt i tillë u bë i ditur nga zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli, e cila duke iu kundërpërgjigjur akuzave të ardhura ditëve të fundit nga selia rozë, lidhur me publikimin në media të reklamave, deklaroi se përmes kësaj nisme PS po përpiqet të dezinformojë opinionin publik. Sipas saj, kreu Rama prej disa vitesh ndjek politikë bllokuese.
“Rama me gojën e Shalsit, ka disa ditë me radhë që dizinformon qytetarët mbi përmbushjen e detyrimit Kushtetues e ligjor të qeverisë për informimin e qytetarëve shqiptarë, për të gjithë veprimtaritë e saj dhe proceset madhore të vendit. Jam këtu për të informuar qytetarët shqiptarë, se me porosi të Kryeministrit ,në të gjitha fushatat informuese të këtij institucioni gjithçka është bërë në përputhje me rregullat e prokurimeve publike dhe se spotet televizive u janë shpërndarë 3 televizioneve kombëtare TVSH, TV Klan dhe Top Channel , kurse njoftimet në mediat e shkruara janë shpërndarë në të gjitha mediat pa asnjë dallim. Qeveria shqiptare është kufizuar në këtë shpërndarje me 3 mediat kombëtare për shkak të fondeve duke kujtuar këtu se ka shpenzuar për veprimtaritë informuese ,4 deri në 7 herë më pak se çdo qeveri e rajonit e më gjerë”, u shpreh Mëhilli.
Njëkohësisht, në krahasim mes dy strategjive të ndjekura nga Rama në kohën kur ishte kreyatr bashkie dhe nga qeveria “Berisha”, Mëhilli sakëtsoi se “në rast se zoti Rama për 5 vjet me radhë përjashtoi nga fushatat informuese të bashkisë së Tiranës të gjitha mediat që ai nuk i kontrollonte, Këshilli i Ministrave nuk e ka bërë këtë në as edhe një rast të vetëm, madje ka treguar mirëkuptim si në rastin e televizionit Top Channel, i cili jo gjithnjë ka qenë i gatshëm të transmetojë në kohën dhe shpeshtësinë e kërkuar spotet televizive të qeverisë, por ka preferuar të ofrojë kohën që ky televizion në përputhje me programacionin e vet e kishte më të mundshme”.
Po kështu, zëdhënësja e Kryeministri theksoi faktin se të gjitha mediat që kanë transmetuar fushatat informuese të qeverisë janë paguar në përputhje me kohën dhe shpeshtësinë që kanë marrë përsipër për ti transmetuar ato.
“Jam sot këtu për ti kërkuar zotit Rama të heqë dorë nga bllofet dhe trillimet e tij. Tu shpjegojë qytetarëve shqiptarë se përse ai në dhjetëra e dhjetëra veprimtari informative të Bashkisë së Tiranës përjashtoi të gjitha mediat e tjera përveç mediave që përmenda më sipër. Qëndrimi përjashtues ndaj shumicës së mediave të vendit përbën një dëshmi të intolerancës së tij, por dhe të abuzivitetit të pakufizuar me ligjet dhe paratë e qytetarëve të Tiranës. Qeveria shqiptare siç ka realizuar me sukses fushatat informuese si në rastin e liberalizimit të vizave apo proceseve të tjera madhore të vendit, do të vazhdojë më tej duke garantuar mediat se pavarësisht nga orientimi i tyre, ato nuk janë diskriminuar e as nuk do të diskriminohen, siç ka bërë ish kryetari i Bashkisë Edi Rama”, deklaroi ajo.