Sequi Integrimi opozita te luaje rol konstruktiv
Opozita duhet të luajë një rol konstruktiv në rrugën e Shqipërisë drejt BE. Ky ishte apeli i lëshuar sot nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, lidhur me bllokimin në Kuvend të miratimit të ligjit për Gjyaktën e Lartë, ligj ky mjaft i rëndësishëm për integrimin. Kështu, pas përfundimit të takimit me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama , ambasadori Sequi bëri me dije se gjatë bisedës është diskutuar situata në tërësi, duke pasur si fokus kryesor pikërisht raport progresin e BE që do të publikohet në tetor. Por, ndalur konkretisht në ngërçin politik mbi Gjykatën e Lartë, Sequi i bëri të qartë palëve se integrimi është interes kombëtar dhe se duhet të gjendet gjuha e përbashkët për të realizuar të gjitha prioritetet e BE. “Integrimi është një objektiv kombëtar. Ne po e ndjekim debatin për Gjykatën e Lartë nga afër dhe shpreh besimin se ashtu si dhe për çështje të tjera dhe në këtë rast do të gjendet një zgjidhje. Kam besim se palët do të ndërgjegjësohen për rëndësinë që ka kjo çështje në procesin integrues”, u shpreh Sequi lidhur me një çështje të tillë.